AKTUALITET /

Të shtëna në Shkallnur, AMP sekuestron armën e policit të Durrësit! Denis Tafili i shpëton postblloqeve të Policisë dhe arratiset me automjet

Shkruar nga Versus
Të shtëna në Shkallnur,  AMP sekuestron armën e policit
Denis Tafili

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga konflikti i dhunshëm i regjistruar një ditë më parë në fshatin Shkallnur të Durrësit, ku mbeti i plagosur një 36-vjeçar.

Në ngjarje dyshohet se është përfshirë edhe Denis Tafili, një nga personat e shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit "Ura" kundër një rrjeti të trafikut ndërkombëtar të kokainës.

Sipas të dhënave paraprake, konflikti ka ndodhur për motive të dobëta mes Denis Tafilit, një 27-vjeçari me inicialet G. M. dhe shtetasit Edison Gjuzi.

Gjatë përplasjes, 36-vjeçari është goditur me qytën e një pistolete, ndërsa në vendngjarje janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri.

Grupi hetimor ka sekuestruar një gëzhojë pistolete, e cila do t'i nënshtrohet ekspertizës.

Pas ngjarjes, Denis Tafili dhe 27-vjeçari janë larguar me automjet.

Pavarësisht kontrolleve dhe postblloqeve të ngritura nga Policia, ata kanë mundur t'i shpëtojnë sërish arrestimit dhe janë shpallur në kërkim.

Në konflikt rezulton i përfshirë edhe një punonjës policie, inspektori Leonard Xhamollari, i cili është shoqëruar dhe ndaj tij kanë nisur veprimet procedurale nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) e cila i ka sekuestruar dhe armën.

Sipas informacioneve paraprake, Tafili dyshohet se ka ndërhyrë në mbështetje të efektivit gjatë konfliktit.

Denis Tafili është një nga personat e kërkuar nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të operacionit shqiptaro-italian "Ura".

Ai akuzohet për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash.

Në muajin maj të këtij viti, SPAK përfundoi hetimet për grupin kriminal me 24 anëtarë, ku përfshihet edhe Tafili, i cili vijon të jetë në arrati.

Ndërkohë, Prokuroria dhe Policia po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht motivin e konfliktit, rrethanat e ngjarjes dhe për të dokumentuar përgjegjësinë penale të të gjithë personave të përfshirë./Versus.al

Poll