Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Mirlind Daku, ishte vendimtar për ekipin e tij, Rubin Kazan, në barazimin 2-2 ndaj Akron Togliatti, në kuadër të javës së 9-të të kampionatit rus. Daku realizoi golin e barazimit në pjesën e dytë, duke shmangur humbjen për skuadrën e tij, por duket se kjo nuk mjaftoi për ta bindur tërësisht trajnerin Rashid Rakhimov.
Në një intervistë për MatchTV.ru, trajneri i Rubinit u shpreh se nuk ishte i kënaqur me paraqitjen e Dakut në pjesën e parë të ndeshjes.
“Nuk ishte në plan ta zëvendësonim, por padyshim pati kritika të ashpra ndaj tij në pushim. Është një çështje e brendshme e ekipit tonë. Kishim pritshmëri më të mëdha nga Daku”, u shpreh Rakhimov.
Megjithatë, ai e pranoi se Daku reagoi siç duhet dhe e shfrytëzoi mundësinë kur u rikthye në fushë në pjesën e dytë:
“Ai shënoi dhe ndihmoi ekipin. Daku duhet ta kuptojë se është një nga liderët tanë dhe ka përgjegjësi. Duhet të jetë më i qëndrueshëm. U martua, ndoshta ndaj dhe ishte i mërzitur”
Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, trajneri Rakhimov u pyet edhe për gjendjen emocionale të Dakut, pas lajmit të ndjerë të vdekjes së gjyshit të tij, një javë më parë.
“Çdo gjë është në rregull. Ka ndodhur diçka pozitive për të… është martuar, ka nënshkruar kontratë martese. Ndoshta kjo e ka bërë pak të mërzitur,” – u shpreh trajneri mes të qeshurash.







