
Ditë më parë në sportin shqiptar u raportua një ngjarje e paprecedentë pasi u raportua se Federata Shqiptare e Volejbollit i kishte kërkuar Dinamos që të kryente testet e gjinisë për brazilianen Nayara Ferreira.
Dyshimet janë bazuar thjesht në biseda korridoresh, gjë që e ka çuar në gjendje të rënduar psikologjike volejbollisten braziliane e cila është izoluar në shtëpi prej më shumë se një jave dhe së fundmi ka dhënë një intervistë për Top Story.
Ajo e cilësoi atë çfarë po bëhet ndaj saj si një diskriminim dhe se nuk i kishin dhënë asnjë arsye ligjore.
“Ajo që po ndodh tani me mua është diskriminim. Nuk e pranoj këtë. Nuk më kanë kthyer përgjigje dhe nuk më kanë dhënë asnjë arsye ligjore pse e bënë këtë. Ata thjesht e bënë. Kur pyeta një zyrtar të federatës – nuk e di as kush ishte – më tha se “është dokument privat dhe nuk mund të ta tregoj”. I thashë: “Ah, qenka private? Çfarë është private për ty në lidhje me jetën time? Pse?” Kështu ndihem unë tani. Nuk kam fjalë ta përshkruaj”, shton volejbollistja. Versus.al

