
Një këndvështrim më personal mbi Rogertin në Big Brother VIP Albania 5 vjen nga personi që e njeh më mirë jashtë lojës bashkëshortja e tij, Enxhi.
Ajo ishte e ftuar në programin “Big Brother Radio”, ku foli për herë të parë publikisht rreth rrugëtimit të bashkëshortit të saj brenda shtëpisë më të famshme të Shqipërisë.
Enxhi tregoi se fillimisht ishte prekur nga komentet e shumta që qarkullojnë jashtë, ndërsa njerëzit nuk kursehen në vlerësimet e tyre, duke shtuar se Rogerti ka zgjedhur të qëndrojë një model i mirë brenda lojës.
''Është komentuar shumë, ashtu siç ti bëre hapjen e emisionit. ‘Kush është kjo grua, kush është kjo femër që i qëndron pranë këtij njeriu?’. Ideja është që të them që nuk më kanë impaktuar në fillim do gënjeja sepse Rogerti është në lojë në Big Brother. Ndërkohë që njerëzit jashtë nuk po kursehen në komentet e tyre. Janë pa kufij, pa filtra, jashtë Big Brother. Ndonjëherë më vjen mirë që Rogerti ka zgjedhur të jetë ky model aty në Big Brother sepse që të jesh model i mirë ma merr mendja që është shumë e thjeshtë. Të jesh i keqi i domosdoshëm, apo të jesh një model ndryshe, është e vështirë të përqafohet, të pranohet. E themi shpesh ne në zhargon që ‘e vërteta është e hidhur’, por është e vërtetë dhe mendoj që Rogerti ka thënë disa të vërteta aty brenda. Mënyra e të thënit? Mendoj që nuk jemi dakord të gjithë mbase me mënyrën se si ai i qaset banorëve në përgjithësi.'' është shprehur Enxhi.

