Manchester United raportohet se ka mbajtur ‘bisedime sekrete’ me katër kandidatë potencialë për të zëvendësuar trajnerin Erik Ten Hag në rast largimi nga klubi.
54-vjeçari tashmë po zhvillon sezonin e tij të tretë tek ‘Djajtë e Kuq’, por gjërat nuk duket se po përmirësohen pasi Unitedi përfundoi në pozitën e tetë sezonin e kaluar në Ligën Premier.
Triumfi në finalen e FA Cup ndaj Manchester Cityt me rezultat 2-1, thuhet se ishte faktori kryesor pse Ten Hag ka vazhduar në stolin e Unitedit.
Sidoqoftë, është raportuar se hierarkia e gjigantit anglez po konsideronin opsionet e tyre verën e kaluar para se Ten Hag të nënshkruante një kontratë të re në qershor, duke zgjatur marrëveshjen edhe për dy vite deri në 2026.
Raportimet tashmë kanë zbuluar se janë mbajtur disa ‘bisedime sekrete’ me katër trajnerë të ndryshëm sipas Daily Mail.
Raporti shpjegon se ish-trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez ishte kontaktuar nga shefi ekzekutiv Omar Berrada, teksa thuhet se ata kanë biseduar me spanjollin dy herë gjatë muajve të fundit.
Trajneri i Brentfordit, Thomas Frank po ashtu thuhet se është i admiruar nga bordi i Unitedit pasi edhe ai ishte në listën e ngushtë të dëshirave së bashku me Thomas Tuchel, Kieran McKenna dhe Marco Silva.
Përveç këtyre emrave, edhe Ruben Amorim (Sporting Lisbonë) dhe Edin Terzic (ish-trajneri i Dortmund) janë në mesin e emrave të mundshëm për stolin e United.