
Në kohën kur qeveria shqiptare ka shpallur luftë frontale informalitetit, shumë biznese të mëdha dhe të vogla po kontrollohen me imtësi për çdo shkelje të mundshme tatimore.
Por ndërsa inspektorët fokusohen te këto subjekte, ka një sektor që ka lulëzuar në mënyrë të dukshme vitet e fundit: biznesi i trajnimeve motivuese dhe seminarëve publikë, i ambalazhuar si spektakël me muzikë, drita dhe entuziazëm.
Një nga figurat më të njohura në këtë fushë është Ermal Mamaqi, ish-aktor, DJ, këngëtar dhe producent i njohur në showbiz-in shqiptar, i cili prej disa vitesh i është përkushtuar trajnimeve motivuese.
Seminaret e tij premtojnë transformim personal dhe profesional, ndërsa pjesëmarrësit paguajnë një tarifë që shpesh kalon 100 euro.
Por një pjesë e pagesave bëhet “cash” dhe pa lëshim fature tatimore.
Videoja e publikuar nga Piranjat tregojnë se në aktivitetet e Mamaqit, paraja mblidhet në zarfa nga një vajzë në stendë, pa u regjistruar në sistemin fiskal, në një zonë shumë të frekuentuar të Tiranës, pranë syrit dhe veshit të institucioneve tatimore.
Biseda mes gazetares së infiltruar dhe vajzës në sportel
Sportelistja: Do të paguash për një?
Gazetarja: Po, ka pasur shumë si puna ime me lekë në dorë
Sportelistja: Plot, ja shiko zarfin…
Gazetarja: Plot qenka…
Ky veprim ngre pyetje mbi barazinë para ligjit: ndërsa dyqanet e vogla, byrektoret apo dyqanet e frutave gjobiten për çdo shkelje, në aktivitete të mëdha publike, që reklamohen masivisht në rrjete sociale dhe media, duket se evazioni fiskal kalon pa u ndëshkuar./Versus.al

