Ish-futbollisti kosovar Blendi Memaj, i cili tashmë ka rolin e analistit sportiv në Kosovë, ka bërë së fundmi një deklaratë të papritur kundrejt sulmuesit të kombëtares sonë Jasir Asanit, ku ka hedhur poshtë krejtësisht cilësitë e tij.
I ftuar në emisonin “Kampionët” në Kanal10, Memaj bëri krahasimin mes Asanit dhe sulmuesit të Kosovës, Edon Zhegrovës.
Ish-futbollisti tha se Asani nuk është aspak në cilësitë e Zhegrovës, duke theksuar se ky i fundit është në një nivel të jashtëzakonshëm.
Gjithashtu Memaj tha se sulmuesi shqiptar nuk mundet dot t’ia lidhë as këpucët sulmuesit kosovar dhe shtoi se Kosova është më lart se Shqipëria përsa i përket individualitetit.
“Nëse sot e bëjmë një krahasim me Kombëtaren e Shqipërisë e ke një Jasir Asani i cili po shfaq një formë të jashtëzakonshme. Tani, ta marrësh Jasir Asanin dhe ta krahasosh me Edon Zhegrovën... as këpucët s’mund t’ia lidhë. Zhegrova është një nivel i jashtëzakonshëm. Edhe Kosova, për nga kualiteti individual është më lart se Shqipëria”, është shprehur ndër të tjera Blendi Memaj.
Kujtojmë se deklaratat goditëse të kosovarëve ndaj Shqipërisë po vijnë në shtim, kjo pasi edhe aktori i humorit Osman Azemi deklaroi se shqiptarët janë xhelozë që nuk kanë emra të shquar si të tyret, deklaratë kjo e cila ngjalli shumë debate dhe reagime në rrjet./ Versus.al







