
Një nga performancat më të pazakonta në historinë e sporteve ekstreme është realizuar nga Nitro Circus, i cili ka prezantuar projektin spektakolar "Dinner for 6" (Darka për 6), i cilësuar si i pari i këtij lloji në botë në disiplinën e rënies së lirë.
Sfida u zhvillua mbi Arizonë, ku gjashtë parashutistë u ulën rreth një tavoline ngrënieje të shtruar plotësisht, e cila u hodh nga pjesa e pasme e një avioni në një lartësi prej rreth 13 mijë feet.
Pamjet janë mbresëlënëse. Tavolina ishte e pajisur me mbulesë të bardhë, gota vere, pjata me ushqim dhe servise, ndërsa sportistët qëndruan në vendet e tyre gjatë gjithë rënies së lirë, duke simuluar një darkë në ajër.
Për rreth 40 sekonda, gjashtë parashutistët "darkuan" në qiell, përpara se të hapnin parashutat dhe të përfundonin me sukses kërcimin.
Operacioni u drejtua nga Steve dhe Sarah Curtis, dy prej emrave më të njohur të parashutizmit. Steve Curtis numëron mbi 25 mijë kërcime dhe një sërë titujsh kombëtarë e ndërkombëtarë, ndërsa Sarah Curtis mban disa rekorde kombëtare dhe botërore, duke u renditur ndër figurat më të spikatura të këtij sporti.
Performanca është cilësuar nga organizatorët si një premierë botërore dhe ka tërhequr vëmendje të madhe në rrjetet sociale për nivelin e koordinimit, precizionit dhe guximit të kërkuar për realizimin e saj.Versus.al

