Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në konferencë shtypi me kryeministren italiane Giorgia Meloni ku foli jo vetëm për marrëveshjen me Italinë për strehimin e emigrantëve por edhe për artikujt e publikuar nga investigimi i televizionit “Rai 3” ku kishte akuza për lidhje të qeverisë shqiptare me krerë të krimit të organizuar.
Rama tha se në Shqipëri nuk ka struktura mafioze dhe se gazetarët të cilët vijnë në vendin tonë për të shkruajtur artikuj duhet të shohin strehimin dhe ndihmën e dhënë ndaj afganëve të ikur nga lufta.
"Duke cituar kreun e SPAK, nuk mund të themi se në këtë vend që u ngjajnë organizatave mafioze si Cosa Nostra apo Camorra sepse grupet këtu nuk kanë hierarki të tyre dhe veprojnë në grupe familjare apo shoqërore. Shpreh tristhim për gjysmë të vërtetat të thëna në mediat italiane për Shqipërinë me qëllim për të hedhur baltë dhe për të sulmuar marrëveshjen mes dy qeverive, për emigracionin e paligjshëm. Falenderoj ata që kanë treguar solidaritetin e tyre ndaj nesh. Kam pasur mesazhe të shumta nga miq italianë.
Duhet t’u tregoj se diku qindra metra nga këtu mbijetojnë me shpenzimet tona një komunitet afganësh. Të cilët janë gati 350 njerëz që i janë larguar vdekjes nga vendi i tyre dhe janë mirëpritur në Shqipëri ndërsa asnjë prej vendeve të NATO-s nuk pranoi t’i merrte. Çdo të premte mbërrin një avion deri në 100 persona të cilët qëndrojnë këtu deri në transportimin në SHBA. Ata që nuk i kalojnë dot procedurat, qëndrojnë këtu dhe nuk i detyrojmë as të shkojnë në SHBA as të kthehen në vendin e tyre në luftë.
Gazetarë që shkruajnë mbi këto gjëra, vijnë këtu dhe nuk shohin këto qindra emigrantë të strehuar këtu por shohin fantazma të kriminalitetit. Për të informuar publikun e tyre me lajme të shkruara më parë. Unë jam krenar që Shqipëria mund t’i shërbejë Shqipërisë. Nëse kemi mundësinë të jemi të dobishëm, le ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe ta bëjmë këtë me zemër dhe bindjen që deti mes Italisë dhe Shqipërisë nuk është hapësirë që na ndan por na bashkon. Në një çast kaq të vështirë për të gjithë Evropën, jemi shumë krenarë që mund të japim ndihmën tonë jo si evropianë jashtë BE por si evropianë në BE. Në fund askush nuk vendos nëse ne jemi evropianë apo jo" - tha Rama ndër të tjera.
Më tej ai vijoi duke thënë "nëse marrëveshja me Italinë është një gabim, atëherë le të jetë një gabim zemre". Versus.al







