POLITIKË /

“Netflix do bënte dy seriale”, Rama për zhvillimet SHBA-BE: Amerika, “shfaqja e një sherifi”

Sipas Ramës, zhvillimet e fundit janë lajm i mirë për Evropën, e cila sipas tij kishte ardhur momenti të "zgjohej".

Shkruar nga Versus

“Netflix do bënte dy seriale”, Rama për zhvillimet

Kryeministri Edi Rama i cili ndodhet në Berlin ku po mbahet konferenca ndërkombëtare e Sigurisë, gjatë diskutimeve në një panel, ironizoi edhe zhvillimet e dy ditëve të fundit mes SHBA dhe BE.

Ai tha se me të gjitha deklaratat dhe çfarë kishte ndodhur gjatë dy ditëve të fundit në këtë konferencë, do të mund të bëheshin 2 seriale në “Netflix”.

“Duke qenë një dashamirës mjaft i madh Netflix do thoja se pas asaj që kam parë këto 2 ditë nën këtë çati ishte e jashtëzakonshme dhe mund të bëhen 2 seriale, një për SHBA dhe një për BE. Ai për BE do të titullohej “pacienti me 27 mjekë”. Ishin 28 në fakt, por njëri u çmend dhe u largua nga spitali. SHBA do të ishte “shfaqja e një sherifi”. Ajo që po ndodh mendoj është një gjë jashtë mase e mirë sepse unë e shoh nga ajo pjesë e Europës që nuk është BE. I shohim gjërat ndryshe. Është një gjë e mirë që ka ndodhur sepse Europa duhej të shkundej”- tha Rama.

Pasi SHBA kërkoi që Europa të marrë më shumë përgjegjësi mbi politikat brenda kontinentit të saj, Rama e konsideroi këtë si një gjë të mirë duke argumentuar se BE “do të zgjohet”. Ndërsa theksoi se duhet të ketë një politikë më të qartë lidhur me procesin e zgjerimit.

“Për t’ju kthyer pyetjes tuaj mendoj që BE duhet të ndajë mendjen se çfarë po ndodh. Sepse ka ndryshuar sa i takon qëndrimit ndaj nesh dhe ritmit të përafrimit me Ballkanin Perëndimor. Por po ndryshon shumë ngadalë dhe shumë pak. Mund të flasim gjithë ditën për procesin, por mendoj se ka ardhur koha të bëhet një ndarje e qartë”- shtoi kryeministri ndër të tjera.

Dje Rama komentoi edhe lajmet e përhapura se Shqipëria do të presë 100 mijë palestinezë të shpërngulur nga Gaza, duke thënë se nuk ka pasur kontakte me SHBA rreth kësaj ideje dhe se sa kohë të jetë ai kryeministër, nuk do e pranojë një gjë të tillë. Versus.al

Poll