
Deklaratat e fundit të aktorit Osman Azemi kanë shkaktuar mjaft debate si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.
Azemi u shpreh para pak ditësh se shqiptarët e Shqipërisë janë xhelozë për sukseset e Kosovës, duke përmendur emra të njohur si Rita Ora, Dua Lipa, Majlinda Kelmendi, Xherdan Shaqiri.
Ndërkohë që reagimet për qëndrimin e tij kanë qenë të shumta, Azemi nuk është ndalur me kaq dhe kësaj here ka patur diçka për të thënë dhe për aktorët në Shqipëri.
Sipas aktorit kosovar Shqipëria njihet për emisionet dhe spektaklet, por sa i përket serialeve dhe filmave trofeun e merr Kosova.
Azemi thotë se Kosova ka aktorë më të mirë duke shtuar se në Shqipëri janë ende në procesin e të mësuarit.
“Kemi ndryshim, kënga na lidh me Shqipërinë, por humori nuk na lidh. Duhet ta pranojmë. Ata kanë rregulla të tjera, adete të tjera, ne kemi adete të tjera. E shoh që ata janë të mirë kështu në emisione, të bëjnë spektakël ‘E diela’, ‘Big Brother’etj…Unë nuk e shikoj Big Brother, nuk jam infektuar, por unë mendoj se kemi seriale më të mira dhe filmat, por edhe ata po mësojnë. Janë të mirë, s’mund të them që nuk janë të mirë, por Kosova është më e mirë. Ata na shohin ne pak si krahinë”, ka thënë ndër të tjera Azemi në një intervistë që është bërë virale në rrjet./ Versus.al







