POLITIKË /

24 deputetë jashtë, kallëzime në SPAK dhe paralajmërim për mosbindje civile, sot Kuvendi në seancë plenare

Pavarësisht se me 24 deputetë të përjashtuar, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi deklaroi dje se kaosi dhe aksioni opozitar në Kuvend do të vijojë.

Shkruar nga Versus

24 deputetë jashtë, kallëzime në SPAK dhe paralajmërim

Sot Kuvendi mban seancën plenare të radhës ndërkohë që politika shqiptare ndodhet në një situatë krejtërisht të paprecedentë me përjashtimin e 24 deputetëve të Partisë Demokratike në Kuvendi për shkak të dhunës dhe kaosit që shkaktuan në seancën plenare të së hënës teksa kryeparlamentarja Elisa Spiropali lexoi shkresën e prokurorisë për arrestin e Ervin Salianjit dhe shpalli vakant vendin për mandatin e tij të deputetit. 


Me të lexuar shkresën, deputetët e opozitës krijuan kaos në seancë ku nisën të hidhnin sende ndaj ministrave e kryeparlamentares Elisa Spiropali. Kulmi i aksionit të dhunshëm opozitae ishte djegia e karrigeve jashtë Kuvendit, veprim për të cilin u mor vendimi që dëmi ekonomik i shkaktuar të mbahet nga paratë e deputetëve përgjegjës. 

Nuk dihet nëse i njëjti skenae dhune do të ndiqet edhe në seancën e sotme duke qenë se 24 deputetë të PD janë të përjashtuar, mes tyre Gazment Bardhi, Flamur Noka dhe Bledion Nallbati me nga 60 ditë secili. 20 deputetë të tjerë u përjashtuan me nga 40 ditë, ndërsa Edi Paloka me 10 ditë. 

Po ashtu, policia ka referuar në SPAK materialet ku 23 deputetë të opozitës akuzohen për shkatërrim të pronës me zjarr dhe goditje për shkak të detyrës. Kundërpërgjigjia e PD ishte një padi për kryeministrin Edi Rama dhe 72 deputetë të PS nën akuzën se kanë shkelur Kushtetutën duke mos zbatuar vendimin e Kushtetueses për mandatin e Olta Xhaçkës.

Në deklaratat për mediat, deputetët kanë deklaruar se kjo është e vetmja mënyrë reagimi pasi e cilësojnë demokracinë në vend si "inekzistente" duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka kapur të gjitha institucionet e vendit dhe po cakton dënime politike për opozitarët. 

Përfaqësitë diplomatike të BE dhe SHBA kanë dënuar dhunën dhe kaosin në Kuvend duke bërë thirrje që palët të tregojnë përmbajtje. Versus.al

Poll