POLITIKË /

A do të kandidojë për bashkinë Tiranë përballë Ogerta Manastirliut? Ja si përgjigjet Gazment Bardhi

Bardhi theksoi se vendimi për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës nuk është një çështje që i takon individit, por strukturave drejtuese të PD-së.

Shkruar nga Versus

A do të kandidojë për bashkinë Tiranë

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, hodhi dritë mbi 'zërat' lidhur me mundësinë e tij për të kandiduar për drejtimin e Bashkisë Tiranë përballë ministres socialiste, Ogerta Manastirliu. Gjatë një interviste në emisionin Kjo Javë në News24, me moderatoren Nisida Tufa, Bardhi theksoi se nuk ka ambicie të kandidojë për këtë post, pasi nuk plotëson kriteret ligjore për të kandiduar në kryeqytet.

"Unë nuk flas asnjëherë me 'nëse'. Së pari, vendlindjen e kam në Kavajë dhe gjendjen civile e kam atje. Kështu që nuk kandidoj për Bashkinë e Tiranës, pasi nuk plotësoj kriteret e nevojshme për këtë", u shpreh ai, duke hedhur poshtë spekulimet që kanë qarkulluar së fundmi në media.

Bardhi gjithashtu theksoi se vendimi për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës nuk është një çështje që i takon individit, por strukturave drejtuese të PD-së. Ai theksoi se kandidatura duhet të bazohet në një proces kolektiv dhe të miratohet nga organet përkatëse të partisë, dhe jo si një vendimmarrje personale.

"Kjo është një vendimmarrje që nuk i takon individit, por strukturave drejtuese të Partisë Demokratike. Kam dëgjuar shpesh në studio televizive emra që lakojnë dhe pyesin individë për ambiciet e tyre. Por kjo është një çështje që duhet të diskutohet dhe vendoset në kuadër të strukturave të partisë", shtoi ai.

Deklaratat e Bardhit vijnë pas zerave të shumta në lidhje me mundësinë e kandidaturës së tij, por ai ka qenë i qartë në përjashtimin e një angazhimi të tillë për momentin.

 

 

 

A

Poll