
Pas raportit që KLSH publikoi dje ku u ngrit alarmi për hyrjen në Shqipëri në 2021-in të akulloreve të kontaminuara me përmbajtje të lartë oksidi etileni, lëndë që shkakton kancer, sot ka pasur debate me tone të larta në komisionin e ekonomisë.
Kryetari i komisionit, Eduart Shalsi, i kërkoi llogari kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehut se përse kjo gjë u bë publike dje kur lënda ka hyrë në Shqipëri që prej vitit 2021. Shehu iu përgjigj duke thënë se raporti është dorëzuar në Kuvend që në vitin 2021.
Versus.al publikoi më herët raportin e siguruar të përpiluar nga KLSH-ja në 2021, ku qartazi, sipas këtij institucioni, autoritetet bënë pak ose aspak për të dhënë alarmin për sasinë e konsiderueshme të akullores me përmbajtje të lartë oksidi etileni që kishte hyrë ndërkohë në treg nga dy kompani. Në 32 faqe raport, jo vetëm përshkruhet auditimi i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, por dhe vonesat e habitshme në vënien në funksion të strukturave që për detyrë kanë pikërisht ruajtjen e mbrojtjen e konsumatorit.
Pjesë nga debati në komision:
Shalsi: Ballafaqimi që ne na lind tani e tutje është çfarë kanë bërë vendet e tjera kur kanë marrë këtë njoftim. Dje shqiptarët dëgjuan nga viti 2021 se çfarë pasojash mund të ketë sjellë kjo. Madje dëgjuan efektet e lëndës konkrete. Pse e çmuat të mos ta sillnit verbalisht në 2022-in dhe 2023-in por e thatë dje?
Kryetari i KLSH: Kjo është fyese jo vetëm për mua por për institucionin.
Spaho: Ju po i bëni presion në mënyrë të turpshme
Kreu i KLSH: Ne e kemi shprehur një shqetësim institucional për një situattë që na shërben të gjithëve. Nuk duam të ngarkojmë situatën e onkologjikut.
Shalsi: Nuk iu pyeta për Onkologjikun por pse në 2024-ën e thatë këtë për akulloren?
Kryetari i KLSH: Është trajtuar për shkak të rëndësisë që ka nevoja emergjente e një analize për situatën me sëmundjet tumorale. Është bërë me konstatimin që kemi bërë në një moment të mëparshëm për këtë produkt. Nuk ka të bëjë me situatën aktuale. Nëse i referoheni mangësisë tonë që ne e kemi shprehur vetëm tani, kjo nuk është e drejtë sepse e kemi transmetuar në institucion rekomandimet tona. Secili prej institucioneve duhej të merrte masat e duhura. Nëse vlerësoni që ne çdo lloj konstatimi, ta trasmetojmë këtu, ne jemi të gatshëm. Kemi situata me risk të lartë që kërkojnë zgjidhje.
Shalsi: Ka disa çështje për të cilat duhet të ngrihemi të gjithë në këmbë. Dje është përhapur një panik dhe njerëzit janë shumë të shqetësuar dhe të alarmuar. Ndaj edhe unë kam detyrimin t’i përgjigjem një lajmi që ju dhatë dje dhe prandaj iu pyeta. Nuk është aspak qëllimi im, se e dëgjova raportin tuaj. Një pjesë e jona është e vetëdijshme për përgjegjësitë që kemi. Pyetja e dytë është kallëzimi penal për Onkologjikun. Thatë se ka një kallëzim penal, por na thoni kur është bërë ky kallëzim penal.
Kryetari i KLSH: Në radhë të parë raporti iu është vënë në dispozicion në vitin 2021.
Gjatë diskutimeve, Shalsi tha se do të ketë një platformë të qeverisë për monitorimin e auditimeve të institucioneve publike, për të pasur nën mbikëqyrje shkeljet e përmendura në raportet e tyre. Nga ana tjetër deputetja e opozitës Jorida Tabaku e cilësoi këtë si përpjekje për ndërhyrje në punët e institucionit të pavarur. Versus.al







