POLITIKË /

Arresti i Berishës, Leskaj i kujton të ardhmen e karrierës Altin Dumanit: Nuk do keni mbështetjen e opozitës, mësoni nga Bedri Spahiu

Leskaj madje i kërkoi Altin Dumanit që tu rikthehej dhe paraardhësve të tij, duke përmendur dhe Bedri Spahiun, ish prokuror në kohën e dikaturës komuniste, i cili pati dhe një karrierë në ngjitje deri në ministër të Arsimit, por që më pas u shkarkua dhe u internua.

Shkruar nga B. S
Arresti i Berishës, Leskaj i kujton të ardhmen e karrierës Altin
Altin Dumani dhe Bujar Leskaj

Ish-drejtuesi i Kontrollit të Lartë të Shtetit, aktualisht deputet i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj gjatë pyetjeve të tij drejtuar kreut të SPAK, Altin Dumani i është drejtuar pothuajse me ton shantazhues numrit 1 të Prokurorisë së Posaçme në lidhje me masën e sigurisë ‘arrest me burg’ dhënë për kreun e demokratëve, Sali Berishën.

“A mendoni se Rama nëpërmjet një kallëzimi të rremë (iu referua kallëzimit të Taulant Ballës për Kompleksin Partizani, dhe për të cilin pyeti Dumanin nëse ka nisur hetim) ju ka futur në përplasje të fortë me opozitën dhe kjo do tju ndikojë në punën  tuaj, në karrierën tuaj që në vitet e ardhshme nuk do të keni mbështetjen e opozitës?”, pyeti Leskaj i cili mes radhëve i kujtoi kreut të SPAK se masa ndaj Berishës mund t’i kushtojë dhe karrierën në të ardhmen.

Leskaj madje i kërkoi Altin Dumanit që tu rikthehej dhe paraardhësve të tij, duke përmendur dhe Bedri Spahiun, ish prokuror në kohën e diktaturës komuniste, i cili pati dhe një karrierë në ngjitje deri në ministër të Arsimit, por që më pas u shkarkua dhe u internua. Pas rënies së komunizmit, Spahiu kërkoi falje për veprimet e tij dhe të gjithë krimet e kryer gjatë periudhës që ai ishte në pushtet.   

“Lexoni, s’ka asgjë të keqe të mësoni nga e shkuara’, iu drejtua Leskaj Dumanit i cili nuk u zgjat në përgjigjen e tij duke mos u përqendruar tek ‘paralajmërimet’.

“Kallëzimi ka shërbyer si indicie, SPAK ka kryer hetime të shumta në lidhje me këtë çështje. Lidhur me pyetjen si ndjehem unë si qytetar si prokuror për caktimin e masës së sigurisë, nuk kam asnjë tagër asnjë të drejtë të komentoj vendimmarrjen e gjykatës. Nuk kam tagër gjithashtu që të vlerësoj punën e prokurorëve, respektoj vendimin e gjykatave”, u përgjigj Dumani./ Versus.al

Poll