Në Partinë Demokratike janë shfaqur tensionet e para përpara dorëzimit zyrtar të listave të kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Disa figura të njohura të PD-së janë lënë jashtë listave, duke shkaktuar pakënaqësi dhe reagime publike.
Ndër të përjashtuarit janë deputeti Dashnor Sula dhe Hysen Kadiu, ish-kryetar i PD-së në Kavajë. Të dy kishin fituar mbështetje të fortë në procesin e primareve; Sula ishte kandidati më i votuar në Elbasan, ndërsa Kadiu kryesonte në Tiranë. Megjithatë, kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për t’u përfshirë në listat përfundimtare të Partisë Demokratike.
Dashnor Sula reagoi përmes një postimi të gjatë në Facebook, duke shpjeguar se është lajmëruar për përjashtimin e tij, me arsyetimin se mbështet reformat në drejtësi dhe institucionet si SPAK dhe GJKKO. Ai deklaroi se do të vijojë ta mbështesë drejtësinë e re, pavarësisht qëndrimit të drejtuesve të PD-së, dhe ngriti dyshime nëse partia po përgatit një listë për të fituar zgjedhjet apo për të mbrojtur interesa personale. Sula kujtoi gjithashtu se Berisha, i cili është ende në krye të PD-së, po përballet me akuza nga SPAK në lidhje me çështjen e “Partizanit”.
“Sapo jam njoftuar se nuk do të jem pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit për një arsye të vetme; sepse jam “SPAKIST”. Për asnjë moment gjatë kësaj legjislature nuk kam vënë në dyshim vetëm një gjë: mbështetjen time në çdo dalje në foltoren e Parlamentit të strukturave të Reformës në Drejtësi, SPAK dhe GJKKO-së. Kam besuar dhe besuar dhe vazhdoj të besoj se ato po vazhdojnë ti bëjnë një shërbim të madh këtij vendi, kanë futur në burg njerëz me pushtet, që pak vite më parë as mund të mendoheshin se do të ishin në këtë situatë", shkruan Sula.
Në Elbasan, Sula kishte marrë 550 vota në primare, por përjashtimi i tij, sipas tij, është një shkelje e statutit të partisë. Vetë Berisha kishte lënë të kuptohej më parë se votat e primareve nuk do të ishin vendimtare në përzgjedhjen e kandidatëve përfundimtarë.
Hysen Kadiu ndodhet në një situatë të ngjashme. Edhe pse kishte siguruar 913 vota në Tiranë dhe kishte dalë fitues në primare, ai njoftoi se nuk do të jetë pjesë e listës së mbyllur të kandidatëve të PD-së në kryeqytet. Ai shprehu pakënaqësinë e tij në një postim në Facebook, duke thënë se marrëveshjet e mëparshme nuk janë respektuar.
Pakënaqësitë nuk ndalojnë këtu. Deputetja Ilda Dhori ka njoftuar gjithashtu tërheqjen nga lista e hapur për kandidim. Ajo kritikoi mënyrën e ndarjes së emrave në listë, duke vënë në dukje se zona që përfaqësonte, Divjaka, nuk është përfaqësuar siç duhet. Dhori akuzoi drejtuesit e PD-së për marrëveshje të fshehta dhe “pazare nën rrogoz” në përzgjedhjen e kandidatëve për Parlamentin.
Edhe Ori Nebiaj i është bashkuar listës së të pakënaqurve. Ajo ishte planifikuar të kandidonte në qarkun e Fierit, megjithatë njoftoi se tërhiqet nga gara. Në një deklaratë me tone ironike, Nebiaj tha se po i hap rrugë të rinjve, ndonëse kishte marrë pjesë në primaret e Tiranës.
“Unë kam kërkuar të mos jem në asnjë listë. As në Tiranë (në respekt të primareve) as në Fier. Sa për sqarim se dikush i ka lexuar gabim emrat. Jo si tërheqje, por si vendim për t’i lënë rrugë të rinjve dhe zonjave që e meritojnë më shumë se unë”, shkruan Nebiaj.
Këto përjashtime dhe dorëheqje kanë sjellë tension dhe kanë ngritur pikëpyetje mbi transparencën dhe drejtësinë e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve në Partinë Demokratike, vetëm pak ditë para zgjedhjeve. /Versus.al/







