POLITIKË /

Balluku përshendet marrëveshjen miliarda dollarëshe me SHBA-në: Shqipëria po kthehet në qendër energjetike të rajonit

Shkruar nga Versus

Balluku përshendet marrëveshjen miliarda dollarëshe me

Drejtuesja politike e Partisë Socialiste e Fierit, njëherazi dhe ish-ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka vlerësuar marrëveshjet e fundit në fushën e energjisë me Shtetet e Bashkuara si një tregues të qartë besimi ndaj Shqipërisë dhe rolit të saj në rajon.

Në një reagim publik, ajo theksoi se Shqipëria po shndërrohet në një pikë referimi për partnerët strategjikë, falë reformave dhe klimës së krijuar për investime, sipas saj nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama.

Balluku u ndal te projektet energjetike në zhvillim, përfshirë Parkun Eolik të Tropojës me kapacitet mbi 600 MW, si dhe marrëveshjet e reja në sektorin e energjisë me vlerë rreth 6 miliardë dollarë, të cilat parashikojnë zhvillimin e infrastrukturës për gazin natyror të lëngshëm (LNG) dhe lidhjen e Shqipërisë me tregjet rajonale.

Sipas saj, përfshirja e SHBA-së në këto projekte nuk është vetëm financiare, por sjell teknologji të avancuara, rritje të transparencës dhe forcim të klimës së biznesit në vend.

Ajo gjithashtu falënderoi ambasadoren amerikane në Greqi Kimberly Guilfoyle për rolin e saj në nxitjen e bashkëpunimit, duke e cilësuar marrëveshjen si pjesë të një partneriteti strategjik që rrit sigurinë energjetike në rajon.

Balluku shtoi se në një kohë kur siguria energjetike është prioritet global, Shqipëria po pozicionohet si një aktor i rëndësishëm në Ballkan dhe më gjerë.

Postimi i plotë i Belinda Ballukut: 

Jam e lumtur dhe krenare për çfarë Shqipëria arriti sot, jam krenare për klimën e jashtëzakonshme që Kryeministri @ediramaal ka krijuar, duke e bërë vendin një pikë referimi në rajon për partnerët strategjikë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po japin një sinjal të qartë besimi ndaj Shqipërisë përmes rritjes së investimeve në sektorin energjetik dhe përfshirjes në projekte strategjike që ndikojnë jo vetëm vendin tonë, por gjithë rajonin. Ky besim reflekton stabilitetin institucional, reformat e thella dhe potencialin real të rritjes ekonomike që Shqipëria po demonstron.
Në këtë frymë, projekte ambicioze si Parku Eolik i Tropojës me kapacitet mbi 600 MW, i lançuar pak muaj më parë, dëshmojnë qartë vizionin për ta kthyer Shqipërinë në një hub energjetik rajonal të bazuar në burime të qëndrueshme. Ndërkohë sot, firmosja e dy marrëveshjeve të rëndësishme në fushën e energjisë forcon më tej këtë drejtim dhe konsolidon rolin e vendit si një nyje strategjike në Ballkan. 6 miliardë dollarë investime e pozicionojnë Shqipërinë si një pikë kyçe për hyrjen dhe përdorimin e gazit të lëngshëm amerikan (LNG) në rajon, duke rritur ndjeshëm rëndësinë gjeopolitike të vendit dhe duke kontribuar në diversifikimin e burimeve energjetike për Europën.

Sot është rasti për të falenderuar Ambasadoren @kimberlyguilfoyle për angazhimin e saj në realizimin e këtij bashkëpunimi historik, një dëshmi konkrete e forcës së partneritetit strategjik dhe e vizionit të përbashkët për zhvillim dhe siguri energjetike në rajon.

Angazhimi amerikan nuk është vetëm financiar, por sjell standarde të reja, teknologji të avancuara dhe rritje të transparencës, duke forcuar klimën e biznesit dhe duke tërhequr investime të tjera ndërkombëtare. Kjo dinamikë pozitive dëshmon se Shqipëria po shndërrohet në një partner të besueshëm strategjik dhe një faktor stabiliteti në rajon.
Në një kohë kur siguria energjetike është prioritet global, ky partneritet i ngushtë me SHBA-të e vendos Shqipërinë në një pozicion të favorshëm për të luajtur një rol kyç në të ardhmen energjetike të Ballkanit dhe më gjerë./Versus.al

Poll