POLITIKË /

Balluku prezanton Liburn Aliun si drejtor të Portit të Durrësit: Më i spikaturi që na është bashkuar nga Kosova

Shkruar nga Versus

Balluku prezanton Liburn Aliun si drejtor të Portit të Durrësit:

Zëvendës kryeministrja, Belinda Balluku prezantoi sot Liburn Aliun si drejtorin e ri të Portit të Durrësit duke spikatur eksperiencën e këtij të fundit si ministër i Infrastrukturës në Kosovë përgjatë 4 viteve.

Fillimisht njoftoi se brenda 2029-ës, Porti i ri i Durrësit do të jetë gati për operim, ndërsa më tej zbuloi sesi e kishte bindur Aliun që të ishte drejtues i portit më të rëndësishëm të vendit.

"Sot kemi arritur në fazën e fundit të përfundimit të projektit për ndërtimin e këtij porti. Interesi ka qenë shumë i lartë, 5 kompani të huaja kanë garuar dhe më 31 janar do kemi fituesin e garës për ndërtimin e Portit të Durrësit.  Sipas dokumentacionit, për 3 vite ky Port duhet të jetë i dorëzuar dhe operativ. Porti i ri i Durrësit parashikohet të jetë edhe një bazë e NATO-s e vendosur në zemër të mesdheut.

Liburnin e kam njohur në punë dhe njerëzit njihen në punë thuhet. E kam njohur kur kemi qenë kolegë të dy ministrive, ai drejtonte ministrinë e Mjedisit, Infrastrukturës dhe planifikimit hapësinor në Kosovë. Ky është Liburn Aliu, arkitekt në profesion, por me një karrierë të gjatë në politikë, me 2 mandate si deputet në Kosovë, 4 vite ministër dhe padyshim një koleg i mirë i cili Kosovën dhe Shqipërinë i ka parë si një treg i përbashkët i zhvillimit ekonomik dhe infrastrukturor. Në fillim të muajit shtator bëra një bisedë me Liburnin meqenëse më kishte njoftuar se do të dilte nga politika”- tha Balluku.

Më tej theksoi se propozimi i saj u miratua edhe nga kryeministri Edi Rama duke e cilësuar Aliun si figurën më të spikatur që i është bashkuar qeverisë shqiptare nga Kosova.

“Iu duk një propozim interesant që i shkonte për shtat vendimit që kishte marrë për të jetuar në Tiranë. Këtë propozim ia dërgova kryeministrit. Edi Rama ka punuar me të njëjtin pasion për Shqipërinë dhe Kosovës për t’i parë shqiptarët në lartësinë që ata meritojnë. Unë mendoj se Liburn Aliu është më i spikaturi nga të gjithë kolegët e tjerë nga Kosova që na janë bashkuar. Kryeministri ma ka aprovuar propozimin tim duke e mbështetur pasi porti i Durrësit, është porti i shqiptarëve dhe jo vetëm i Shqipërisë. Është Porti që do u shërbejë shqiptarëve në të gjitha trevat e tyre në Ballkanin Perëndimor”- shtoi zv.kryeministrja. Versus.al

Poll