POLITIKË /

“Basha, deputet i Berishës”, debat mes demokratëve, Sula-Agalliut: Me partinë e re, i jepni oksigjen Ramës

Për krijimin e partisë së re, Agalliu përmendi si argument faktin se sipas tij, shqiptarët nuk duan më të zgjedhin vetëm mes të njëjtave figura të 33 viteve të fundit në politikë.

Shkruar nga Versus
“Basha, deputet i Berishës”, debat mes demokratëve,
Deputetët Agalliu dhe Sula

Ditën e sotme, Enkelejd Alibeaj me një sërë deputetësh të tjerë demokratë të cilët nuk mbështesnin as Berishën dhe as Bashën, kanë njoftuar krijimin e partisë “Djathtas 1912”. Një prej anëtarëve të kësaj partie është edhe deputeti Arbi Agalliu i cili pati një debat me deputetin Dashnor Sula pjesë e grupit parlamentar të PD.

Të ftuar në News 24, Agalliu tha se momenti përfundimtar i ndarjes, ishte kalimi i vulës së PD-së te Sali Berisha duke thënë se tashmë të djathtës i duhet frymë dhe lidership i ri. Mes të tjerash ironizoi edhe Bashën duke e konsideruar “deputet të Berishës”.

“Shërbim ndaj pushtetit është të bashkosh votat për të bërë amnistinë për të liruar ata të cilët janë hetuar nga SPAK dhe dënuar nga GJKKO. Nuk flas për zotin Sula se ka votuar kundër. Të bashkosh votat për një reformë zgjedhore që e mbyll sistemin. Lulzim Basha sot është pjesë e grupit parlamentar të Sali Berishës. Zoti Basha vendosi të qëndrojë në grupin parlamentar me drejtues atë që nuk e pranoi në shtator 2021. Sot qëndron dhe e pranon si kryetar. Pse nuk shkëputesh? Sepse zoti Berisha mori logon dhe vulën“, tha Agalliu.

Ndërsa deputeti Sula pati kritika për nismën e njoftuar së fundmi nga deputetët demokratë, duke thënë se partia e re e sapokrijuar, vetëm sa i jep oksigjen Partisë Socialiste për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Rreth kësaj force politike janë mbledhur të zemëruarit me Berishën dhe PD-në. Kjo s’do të thotë se unë tani për inat të sime vjehrre të fle me mullixhun. Alibeaj i ka shërbyer Sali Berishës si ministër, ka marrë benefite. S’kam marrë unë benefite. Atyre u ka ngëlur hatri dhe janë prishur, prandaj dalin kundër. Unë do vazhdoj të bëj luftë brenda PD por jo të zihem brenda dhe të iki“, tha Sula. Versus.al

Poll