
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kur u pyet nga gazetarët për përjashtimin e Ervin Salianjit nga PD, u përgjigj se ish-deputeti ka kaluar “linjat e kuqe”. Berisha theksoi se Salianji ishte i dënuar politik në kohën kur u zhvilluan zgjedhjet e 11 majit.
Kreu i PD-së, tregoi se veprimet e Salianjit sollën vetëpërjashtimin nga Partia Demokratike.
“Akoma mendja tek Salianji. Po ne këtu jemi për enciklopedinë e krimit që nuk është paraqitur kurrë. Po çfarë lidhje ka Salianji me këtë. Po Salianji ishte i burgosur politik kur u zhvilluan zgjedhjet. Çfarë do të thotë kjo?
Sot është një njeri që ka kaluar linjat e kuqe. E kam thënë kur i ka kaluar linjat e kuqe. Kemi ca linja të kuqe. Jo, nuk ka një vendim, ka vetpërjashtuar veten. Sa herë të pyesni, këtë përgjigje do të merrni. Po i kalove linjat e kuqe, i kalon”, shpjegoi Berisha.
Pavarësisht se Ervin Salianji ishte i papranishëm në protestën e opozitës, kjo gjë nuk i ka rregulluar marrëdhëniet mes tyre, përplasja me sa duket ka qenë e fortë, gjë e cila solli largimin e ish-deputetit nga PD-ja./Versus.al

