Tritan Shehu, deputeti historik i Partisë Demokratike e Shqipërisë, ka kujtuar 22 marsin e vitit 1992, një nga datat më të rëndësishme politike në Shqipëri, kur u mbajtën zgjedhjet pluraliste që sollën në pushtet Partinë Demokratike dhe shënuan fundin e regjimit komunist.
Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në News24 Albania, Shehu u rikthye në atë periudhë historike, duke e cilësuar 22 marsin si një moment kyç për demokracinë shqiptare.

Sipas tij, Shqipëria hyri për herë të parë në një zhvillim të madh demokratik pas një periudhe të gjatë diktature dhe izolimi.
Shehu tregoi gjithashtu se si u përfshi në politikë dhe në listën e deputetëve të Partisë Demokratike, me këmbënguljen e Sali Berisha, të cilin e vlerësoi si themelues dhe lider historik të PD-së. Ai theksoi se Berisha nuk ka qenë mjek i Enver Hoxha, duke sqaruar një debat të hershëm publik, ndërsa vlerësoi vizionin e tij për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Sipas Shehut, elita e parë politike e Partisë Demokratike nuk vinte nga politika, por nga fusha të ndryshme si mjekësia, sporti, ekonomia dhe arti. Ai përmendi si figura të rëndësishme të asaj kohe Berishën, Aleksandër Meksi, Pjetër Arbnori dhe Ali Spahia.
Duke folur për periudhën e qeverisjes së PD-së, Shehu pranoi se një nga gabimet më të mëdha ishin skemat piramidale, të cilat sipas tij nuk u kuptuan në kohë si rrezik, madje as nga institucionet ndërkombëtare. Ai e cilësoi këtë si një keqkuptim të ekonomisë së tregut dhe një zhvillim që solli pasoja të rënda për vendin.
Megjithatë, Shehu vlerësoi si një vendim të drejtë privatizimin e banesave për qytetarët me çmime simbolike në fillim të viteve ’90, duke theksuar se shqiptarët kishin dalë nga komunizmi pa prona private dhe pa pasuri. Ai përmendi gjithashtu reformat në sistemin shëndetësor, ku sipas tij u realizua privatizimi i plotë i sektorit farmaceutik dhe stomatologjik.

