Gjatë takimit me Federatën opozitare ku bëjnë pjesë Partia Demokratike si dhe disa parti të vogla të ideologjisë së djathtë, kryedemokrati Sali Berisha ftoi edhe partitë e tjera opozitare në një koalicion të gjerë.
Ai u bëri thirrje të gjitha partive të reja të cilat e konsiderojnë veten parti opozitare që të lënë mënjanë kundërshtitë që kanë me njëri-tjetrin dhe të bashkohen për të mundur qeverinë e Partisë Socialiste me në krye Edi Ramën.
Fjala e Berishës:
Bashkimi i të gjithë potencialeve opozitare kundër Edi Ramës, kundër Rilindjes që është sot sinonim i krimit, sinonim i një regjimi që në fjalorin politik të të gjitha kohërave, ka një term: regjimit të kakistokracisë që përmbledh të gjitha të këqijat që mund t’i bëjë një pushtet një vendi.
Dhe në fakt, një pushtet që përzë nga vatrat e tyre 40-45 përqind të popullit në 10 vite, është më i keqi që ky popull ka njohur në historinë e tij.
Koha është për një front sa më të gjerë opozitar, ndaj dhe unë ftoj të gjitha forcat politike që e ndjejnë veten opozitë, e konsiderojnë veten opozitë, pavarësisht nga çdo kundërshti që mund të kenë njëri me tjetrin, të bashkohen në këtë front për t’u përballur me sukses me këtë të keqe që kemi përpara. Sepse ky bashkim ka një rëndësi vendimtare.
Ka prej tyre që kanë shumë vërejtje për këtë forcë apo atë forcë, kanë vërejtje për PD-në, normale janë këto, por problemi është se nuk ka rrugë tjetër përveç bashkimit për t’u përballur me këtë të keqe që kemi përpara. Dhe të gjitha variantet e tjera, vetëm sa pjesëtojnë fuqinë e opozitës"- tha Berisha.
Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, tashmë Berisha nuk ka në krah aleatin e përhershëm të LZHK, Dashamir Shehi i cili ka krijuar një front opozitar me Enkelejd Alibeajn dhe Endri Shabain, kreun e Nismës Thurje. Versus.al







