POLITIKË /

Biseda në 'Signal' ku Vis Martinaj porosiste Erigers Mihasin t'i jepte 100 mijë € Bardhit, SPAK: Mesazhe të sajuara

SPAK bën me dije se po kryhen hetime për të gjetur se kush qëndron pas sajimit të bisedave false ku përmendet emri i Bardhit si përfitues i 100 mijë eurove të dhëna nga Ervis Martinaj.

Shkruar nga Versus

Biseda në 'Signal' ku Vis Martinaj porosiste Erigers Mihasin

“Bisedë e sajuar”, këto kanë qenë përfundimet e SPAK mbi denoncimin e dorëzuar ditë më parë nga kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi i cili tha se në aplikacionin “Signal” i kishin ardhur mesazhe në formë shantazhi ku emri i tij përmendej në përgjimet e zbardhura mes ish-bossit të lojërave të fatit, Ervis Martinajt (i zhdukur prej gushtit 2022) dhe krahut të tij të djathtë (i ekzekutuar në 2021).

Në bisedat e pretenduara, të dy personat e mësipërm shfaqeshin teksa flisnin për një shumë 100 mijë eurosh që duhej t’i dorëzohej Bardhit për zgjedhjet parlamentare të 2021-it.

Prokuroria e Posaçme thekson se kemi të bëjmë me biseda të manipuluara dhe se po hetohet burimi i tyre, ndërsa mediave u kërkohet kujdes në shpërndarjen e materialeve të tilla të paverifikuara.

“Në përgjigje të interesimit të shtuar të mediave informojmë publikun se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është vënë në dijeni për disa mesazhe që i kanë mbërritur politikanëve dhe figurave publike gjatë ditëve të fundit përmes aplikacionit të koduar të komunikimit, Signal.

Nga verifikimet e deritanishme të Prokurorisë së Posaçme, mesazhet e pretenduara se rrjedhin nga transkripte bisedash të kryera nëpërmjet SKY/ECC janë manipuluar duke sajuar biseda të pavërteta për individë dhe veprime të kundërligjshme.

Prokuroria e Posaçme, po monitoron nga afër këtë situatë dhe ka nisur verifikimet për të identifikuar burimet e këtyre mesazheve me qëllim ndjekjen penale të autorëve.

I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve dhe aktorëve publikë të tregojnë kujdes kur ndërveprojnë me mesazhe të kësaj natyre, si dhe të shmangin shpërndarjen e materialeve të paverifikuara”- thuhet në reagim.

Gazment Bardhi në denoncimin e bërë ditë më parë, i cilësoi mesazhet e sajuara si “shantazh” që i bëhej mejëherë pas përplasjes që kishte pasur me kryeministrin Edi Rama gjatë interpelancës për transportin e mbetjeve toksike të cilat pritet të mbërrijnë në vendin tonë. Bardhi deklaroi para mediave se bisedat që ia kishte dërguar në “Signal” profili me emrin “Mbreti Zog” nuk ekzistojnë dhe tha se ishte në dispozicon të SPAK për çdo lloj verifikimi. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: