
Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani duke u shprehur kundër paktit të dakordësuar mes PS dhe PD për ndryshimet në Kodin Zgjedhor kërkoi që votimi të bëhet në mënyrë të fshehtë duke argumentuar se ka ligjvënës socialistë e demokratë që ndihen të trysnuar për të votuar kundër vullnetit të tyre.
“Propozoj që në fund votimi të bëhet i fshehur për arsye se nga biseda që kam pasur me deputetë të opozitës dhe mazhorancës disa prej tyre kanë shprehur frikë dhe pamundësi për të reaguar. Kërkoj që të bëhet votimi i fshehtë në mënyrë që Rama të mos marrë peng deputetët e tij dhe vendin”- tha Dogjani.
Ky propozim u kundërshtua nga deputetja Flutura Açka e cila tha që votimi të jetë i hapur në mënyrë që qytetarët shqiptarë të shohin se kush i ka tradhëtuar.
“Jam kundër propozimit për të qenë votim i mbyllur, votimi duhet të jetë i hapur që shqiptarët ta dinë se kush po e shet të drejtën e tyre për një demokraci të pastër. Mbajeni të hapur dhe të votojnë ata që kanë marrë përsipër të bashkojë votat me ju kundër shqiptarëve”- u shpreh Açka e cila dje dorëzoi edhe kërkesën për të dalë nga grupi parlamentar i PD.
Ndërkohë drejtuesja e seancës, Ermonela Felaj tha se vendimi për mënyrën e votimit do të merret në momentin kur të jetë koha për votimin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor. Versus.al







