Dashnor Sula, ish-deputeti i Partisë Demokratike dhe një figurë e njohur politike në qarkun e Elbasanit, është tërhequr nga gara për deputet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sula ishte pjesë e listës së kandidatëve të prezantuar nga Adriatik Lapaj, në kuadër të lëvizjes së re politike “Nisma Shqipëria Bëhet”, një nismë që synon të sjellë frymë të re dhe alternativa të tjera.
Vendimi i Sulës për të mos qenë më pjesë e kësaj liste është bërë publik vetëm pak kohë pas prezantimit të emrit të tij si një prej figurave kyçe të “Nisma Shqipëria Bëhet” për qarkun e Elbasanit.
Edhe pse nuk ka ende një deklaratë nga ana e Sulës për arsyet e këtij vendimi, burime pranë tij për Versus.al bëjnë me dije se kjo tërheqje lidhet me vendimin personal për të mos u angazhuar më në politikë aktive, të paktën për këtë periudhë. Megjithatë mbetet të shihet nëse mes palëve ka patur mosdakordësi.
Dashnor Sula ka qenë deputet në disa legjislatura dhe është njohur për qëndrimet e tij të moderuara, shpesh kritike ndaj lidershipit të Partisë Demokratike në vitet e fundit. Largimi i tij nga PD dhe bashkimi me nismën e Lapajt u interpretua si një përpjekje për të ndihmuar në krijimin e një alternative të re politike. /Versus.al/







