Pas nisjes së vulosjes së fletave të votimit që do të dërgohen për emigrantët shqiptarë në diasporë, kreu i KQZ ka sqaruar sesi do funksionojë i gjithë procesi.
Celibashi tha se postieri me zarfin e fletës së votimit, do të paraqitet disa herë në banesat e deklaruara nga shqiptarët në rast se nuk arrin t’i gjejë në shtëpi. Në rast se as herën e tretë, oraret e tyre nuk përputhen atëherë i njofton për degën postare ku mund të paraqiten për të tërhequr zarfin.
“Shkon herën e parë, nëse nuk e gjen, do t’i lërë një shënim që erdha nuk iu gjeta dhe i lë orarin për të shkuar herën e dytë. Nëse edhe herën e dytë nuk arrin ta kontaktojë, do t’i lërë një shënim për herën e tretë. Dhe nëse edhe herën e tretë nuk ka mundësi të përputhen oraret e postierit me votuesin, do i lihet një shënim duke i thënë se materiali gjendet në zyrën postare e caktuar”- sqaroi Celibashi.
Afati për kthimin e zarfeve ende nuk është vendosur, por kryekomisioneri tha se maksiumi do jetë data 4 apo 5 maj, pasi rreth 5 ditë do të duhen për mbërritjen e tyre në Shqipëri.
“Ende nuk e kemi vendosur, por jo përtej datës 4 maj pasi duhet të llogarisim kohën për kthimin mrapsht të zarfeve. Në rastin më ekstrem do duhen 4 apo 5 ditë për t’i kthyer mbrapsht”- shtoi ai.
Çdo zarf me fletë votimi që ka vulën e hyrjes pas orës 19:00 të 11 maj nuk i nënshtrohet procedurës së verifikimit.
Si duhet të veprojnë emigrantët pasi të votojnë?
Votuesi nga jashtë nuk ka nevojë të shkojë në një zyrë postare. Momentin që ka përfunduar procesin e votimit, do fusë fletën e votimit tek Zarfi A dhe Zarfin A tek zarfin B të cilin e fut në zarfin e postës. Kjo do jetë e shpjeguar në udhëzuesin e dërguar nga KQZ. Në atë moment do telefonojë shërbimin postar ku do jenë numrat e tyre në fletë. Nuk ka nevojë prat ë dalë nga shtëpia dhe ta depozitojë zarfin e kthimit, por mjafton të telefonojë postierin që të shkojë të marrë zarfin.
Në shtetet e kontinentit europian, zarfet me fletët e votimit do të shpërndahen brenda datës 22 prill, ndërsa në kontinentet e tjera, brenda datës 25 prill. Versus.al








