POLITIKË /

Falja e gjobave për ndërtimet pa leje, PD propozon shtesa: Të falen edhe ato për energjinë, qytetarëve t’u kthehen lekët

Shkruar nga Versus

Falja e gjobave për ndërtimet pa leje, PD propozon shtesa: Të

Partia Demokratike ka propozuar 4 amendamente lidhur me projektligjin e faljes së gjobave që pritet të miratohet në seancën plenare të nesërme në Kuvend.

Në propozimet e bëra është përfshirë edhe falja e detyrimeve të prapambeturave dhe kamatvonesave të energjisë elektrike për pensionistët, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet me ndihmë ekonomike.

Tjetër propozim është edhe anulimi i gjobave dhe kamatvonesave për mospagimin e taksës së pronës. Afati i caktuar për heqjen e gjobave dhe kamatvonesave është deri më 30 nëntor të këtij viti.

Amendamentet e propozuara nga PD:

1- Të anulohen të gjitha masat administrative të vendosura sipas nenit 52, pika 1, shkronja “e”, të ligjit nr. 107/2014, datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, në pjesën që parashikon dënimin me gjobë për kryerjen e punimeve pa leje për plotësimin e nevojave për strehim, që është shfuqizuar si papajtueshme me Kushtetutën, me vendimin nr. 15/2022 të Gjykatës Kushtetuese, që nga data e hyrjes së ligjit në fuqi e deri në momentin e shfuqizimit të tij nga Gjykata Kushtetuese.

2-  Të anulohen të gjitha detyrimet e prapambetura për energjinë elektrike dhe ujin deri në datën 30 nëntor 2024 për shtresat në nevojë, duke përfshirë pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar.

3-  Të anulohen të gjitha masat administrative së bashku me kamatëvonesat të vendosura deri në datën 30 nëntor 2024 nga Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

4-  Të anulohen të gjitha masat administrative së bashku kamatëvonesat të vendosura deri në datën 30 nëntor 2024 për mosrespektimin e afateve në procedurat tatimore dhe/ose mospagimin e taksës së pronës.

Më tej grupi parlamentar demokrat argumenton që të gjithë qytetarëve duhet t’u kthehen mbrapsht shumat që kanë paguar për gjobat dhe kjo gjë të realizohet brenda datës 31 janar të vitit 2025. Duke kritikuar qeverinë për gjobitjen ndër vite për ndërtimet pa leje, demokratët theksojnë faktin se ka pasur edhe raste kur persona janë burgosur dhe i kanë dhënë fund jetës për shkak të dëshpërimit. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: