POLITIKË /

Firmën e fundit e ka Rama, këshilltarët bashkiakë të Tiranës ‘vulosin’ nesër fatin e Veliajt

Ndërkohë nuk ka ende një vendimmarrje mbi kërkesën e Veliajt për t'u paraqitur në seancën e këshillit bashkiak.

Shkruar nga Versus

Firmën e fundit e ka Rama, këshilltarët bashkiakë të

Të nesërmen në orën 10:00 Komisioni i Ligjeve në bashkinë e kryeqytetit do të mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e këshilltarëve socialistë për shkarkimin e kryebashkiakut të arrestuar, Erion Veliaj.

Pas kësaj mbledhje, në orën 16:00 të pasdites do të mblidhet këshilli bashkiak ku pritet të diskutohet mbi këtë kërkesë, teksa nga ana tjetër kreu i bashkisë Tiranë ka kërkuar që para se të merret vendimi për shkarkimin e tij, të dëgjohet në mbledhje. Mbi këtë kërkesë të tij ende nuk ka një vendim të caktuar. Këtë gjë e mbështetën edhe këshilltarët e PD-së.

Ndërsa këshilltarët e PS u vunë në lëvizje duke nisur procedurën për shkarkimin e Veliajt pas kërkesës së Edi Ramës në Asamblenë e PS, duke u mbështetur në shkeljen e nenit 62, gërma C, të Ligjit 139/2015 "Për Vetëqeverisjen Vendore", që ka të bëjë me mosparaqitjen në detyrë për të paktën 3 muaj.

Do të duhen 31 vota në këshillin bashkiak nga 61 anëtarë që janë gjithsej për të shkarkuar Veliajn i cili prej 10 shkurtit të këtij viti mbahet në paraburgim dhe së fundmi në dosjen hetimore i janë ngarkuar akuzat për kryerjen e 5 veprave penale. Në rast se miratohet në këshill, prefekti i Tiranës ia kalon çështjen qeverisë e cila vendos për shkarkimin.

Por edhe në rast se kjo ndodh, Veliaj ka mundësinë ta ankimojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditësh dhe në këtë rast, vendimi i qeverisë do të pezullohej derisa të ketë një vendim nga gjykata. Versus.al

Poll