Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me kryebashkiakët socialistë në kuadër të turit “Për punët e Shqipërisë”, ku u diskutuan prioritetet dhe problematikat kryesore të qeverisjes në nivel vendor.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se është nisur një proces i gjerë analizimi me ekipet e ministrive për të pasur një pasqyrë të plotë të situatës në çdo sektor, në këtë fazë të qeverisjes.
Një nga projektet kryesore të prezantuara është mbështetja e pushtetit vendor me një flotë të re automjetesh për bashkitë, e cila do të shërbejë për pastrimin e kanaleve dhe përgatitjen për sezonet e ardhshme, me synim lehtësimin e ujitjes dhe minimizimin e pasojave nga përmbytjet.
Kryeministri theksoi gjithashtu rëndësinë e finalizimit të sistemit të adresave në të gjithë vendin, duke kërkuar angazhim maksimal nga bashkitë. Ai paralajmëroi se do të ketë masa penalizuese për qytetarët që nuk bashkëpunojnë për t’u bërë pjesë e këtij sistemi.
Takimi vjen në kuadër të përpjekjeve të qeverisë për të rritur efikasitetin e shërbimeve vendore dhe për të përmirësuar menaxhimin e infrastrukturës në të gjithë vendin.
Kryeministri Rama:
Kemi nisur një proces me ekipet e ministrive për të parë situatën në lidhje me prioritetet dhe problematikat e për të pasur një lexim të plotë të çdo sektori në kontekstin e kësaj faze të qeverisjes. Për këtë arsye menduam që të bëjmë edhe këtë takim
Prioritetet: Kemi përgatitur një projekt të rëndësishëm për të mbështetur pushtetin vendor për të vënë në dispozicion të bashkive flotë të re automjetesh që do të duhet të ndihmojnë në proceset që kanë të bëjnë me pastrimin e kanaleve dhe punën e domosdoshme parapërgatitore për sezonet e mëtejshme që të lehtësohen proceset e ujitjes dhe pasoja që vijnë nga përmbytjet. Projekt që do ta finalizojmë në muajt në vijim.
Një pikë tjetër e rëndësishme është puna për të finalizuar sistemin e adresave, duke kërkuar të gjithë ju të angazhoheni shumë seriozisht në atë pjesë të punës që takon bashkive. Finalizimi do angazhimin e individëve dhe në pikat e planit të punës do të ketë një pikë për penalitet për ata që nuk bashkëpunojnë me pushtetin vendor për t’u bërë pjesë e sistemit të adresave./Versus.al

