
Efektivët e Gardës së Republikës kanë dërguar një letër zyrtare drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha, ku hedhin dritë mbi gjendjen e brendshme alarmante të institucionit që ka për detyrë të ruajë figurat më të larta të shtetit.
Sipas dokumentit të siguruar nga CNA, letra nuk është marrë me sportivitet nga drejtuesit e Gardës: ajo rezulton të ketë qenë shkaku që solli shkarkimin e komandantit Ermal Onuzi. Dhe po, letra ka brenda gjithçka – nga alkooli te arroganca, nga klientelizmi te degradimi profesional.
Punonjësit flasin për një klimë të papërballueshme brenda Gardës. Situata përshkruhet si skandaloze dhe degraduese, me një kulturë pune që ka rrëshqitur drejt groteskut
“Me keqardhje ju themi se Garda është tani vendi ku konsumohet masivisht alkool nëpër zyra dhe me gotat përpara bëhet politika e emërimeve. Duke filluar nga drejtori i Përgjithshëm dhe beniaminët e tij (drejtori i DPK dhe drejtori i DSPLSH).
Realisht Gardën e drejton një pijanec ordiner si L.H., që është shoku i drejtorit, i cili mbasi pi sa nuk kontrollon veten, del para efektivit me pantallona të lagura dhe thotë, ‘ligjin tani e bëj unë’. Po ju pyesim: Ky është vizioni për Gardën?”, thuhet në letrën e tyre drejtuar Ramës dhe Hoxhës. - thuhet në letrën e siguruar nga CNA.al.
Në letër ngrihet gjithashtu alarmi për shkatërrimin e karrierës së gardistëve profesionistë, të cilët po zëvendësohen nga ish-ushtarakë të dalë nga Forcat e Armatosura, pa avancime në gradë, por me një avantazh të vetëm: miqësia me drejtuesit.
Me tone të ashpra dhe gjuhë të drejtpërdrejtë, letra duket si një shpërthim i fundit i durimit nga njerëz që – ndryshe nga kolegët e zyrës – nuk kanë ndërmend ta shuajnë hallin me një gotë. Dhe ndërsa Garda supozohet të ruajë institucionet e shtetit, mesa duket, askush nuk po ruan Gardën nga vetvetja
Raportohet se kjo letër është bërë më pas shkak për shkarkimin e drejtuesit Ermal Onuzi ditën e djeshme.








