
Sot opozita u rikthye me protestat që organizon prej muajsh para bashkisë Tiranë. Si zakonsisht, pati disa fjalime nga përfaqësues të PD dhe të PL. Mes tyre edhe sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi i cili mbajti një fjalim me retorikë të ashpër.
Me tone paralajmëruese, Blushi vijoi me akuzat ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani të cilin e konsideroi armik të kombit së bashku me kryebashkiakun Erion Veliaj dhe kryeministrin Edi Rama.
“Askush nuk ka besim sot te SPAK-u dhe duhet të trajtohet njëlloj si ky armik sepse për sa kohë kjo strukturë terroriste me një kryetar palaço dhe po ashtu partner ne krim si Dum Dumani, nuk arreston Erion Velinë nuk arreston Edi Ramën por ndalon liderin e PD, por fabrikon akuza të paqena për drejtuesit e opozitës, nuk është gjë tjetër veçse partner në krim. Ndaj është koha ta shporrim këtë farë të keqe dhe ti trajtojmë si armiq te kombit këta kriminele të cilët nuk janë thjesht hajdutë por armiq te kombit. Janë armiq te familjes”- tha Blushi.
Zyrtari i PL shkoi më tej duke thënë se për një qëllim të tillë, nuk ka kthim dhe se është gati të japë jetën në këtë rrugë.
“Asnjë amnisti për Erion Valiajn. Asnjë amnisti për Dum Dumanin, asnjë amnisti për Edi Ramën. Janë tre palaço, janë tre kriminelë mbi të cilët mbështetet narkoshteti.
Ne kemi hyrë në një betejë dhe ne jemi gati të japim edhe jetën tonë, deri për çlirimin e Shqipërisë, çlirimin e Tiranës dhe të çdo zyre ku këta banditë fshihen dhe të nxirren me çdo çmim”- shtoi Blushi në protestën e mbajtur para bashkisë Tiranë. Versus.al







