Zëvendëskryeministrja dhe njëhershëm ministre e Infrastukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka ndarë një reflektim personal në rrjetet sociale, ku thekson se kanë kaluar mbi 21 vite që nga dita kur iu bashkua skuadrës politike të Edi Ramës.
Balluku shprehet se gjatë këtyre dekadave ajo dhe Partia Socialiste kanë kaluar sprova e sfida të shumta, por vizioni i Ramës për transformimin e vendit dhe rrugëtimin drejt Europës ka mbetur i pandryshuar.
“Jam thellësisht mirënjohëse Kryeministrit Rama për besimin dhe mundësinë që më dha, për të vazhduar detyrën time si pjesë e ekipit qeverisës. Nuk e kam parë kurrë ftohtë si një punë detyrën time, por si mision për të vënë qoftë një gur në themelet e një shteti që lulëzoi nga gërmadhat e tranzicionit,” shkruan Balluku.
Ajo i uron suksese kolegëve të kabinetit të ri qeveritar, duke shpresuar se secili prej tyre do të japë më të mirën në rrugëtimin sfidues drejt integrimit europian.
Postimi i plotë i zv/kryeministres Belinda Balluku:
Kanë kaluar më shumë se 21 vite nga dita kur iu bashkova skuadrës së Edi Ramës.
Jo rrallë kthehem pas për të kujtuar gjithçka është bërë, jo rrallë mendoj se sa shumë sprova e sfida kemi kaluar në këto dekada, jo rrallë më kujtohen ngjarjet që ndryshuan thelbësisht qasjen e Partisë Socialiste dhe vizionin politik për vendin, por ajo çka ka mbetur e pandryshuar, është forca lëvizëse, pasioni dhe vizioni i Edi Ramës, për të ndryshuar këtë vend në çdo nivel, e për të rendur më shpejt drejt Europës dhe së ardhmes.
Jam thellësisht mirënjohëse Kryeministrit Rama për besimin dhe mundësisë që më dha, për të vazhduar detyrën time si pjesë e ekipit qeverisës. Nuk e kam parë kurrë ftohtë si një punë detyrën time, por si mision për të vënë qoftë një gur në themelet e një shteti që lulëzoi nga gërmadhat e tranzicionit dhe mori formën e talentit dhe dëshirës së Edi Ramës për të na bërë krenar për vendin e shqipeve.
Uroj suksese të gjithë kolegëve të mi dhe shpresoj fort që secili prej tyre të kontribuojë me më të mirën e tij në këtë rrugëtim sfidues drejt Europës./Versus.al







