Kreu i qeverisë Edi Rama ka patur kritika edhe për Inspektorët e Mbrojtjtes së Territorit dhe për policinë përsa i takon ndërtimeve pa leje në territor. Pavarësisht se më herët e kishte mohuar se inspektorët vendosnin gjoba private ndaj qytetarëve për të ndërtuar avlli, këtë herë Rama e pranoi këtë fenomen.
Ndërsa më tej u shpreh se së fundmi është dhënë sinjali se nuk ka rëndësi se cili ndërtues është, nëse ka kate pallati pa leje, ato do t’i kalojnë shtetit.
“Sikur të mblidheshin të gjithë fshatarët të cilëve policët e shtetit u kanë vënë gjoba personale, apo shtetërore për një avlli do bëhej mitingu më i madh. Ndërkohë që vetëm në këtë periudhë është dhënë mesazhi që sado të madh ta kesh emrin në botën e ndërtimit dhe sado të madh ta kesh pallatin me shkelje, shteti është më i madh se ti dhe nuk e gëzon dot. Sepse deri dje shikonin vetëm avllitë. Një burrë i vjetër 90 e kusur vjeç përfundoi në gjykatë për një riparim matanë Dajtit. Se ku e pikasi atje policia, do ishte për medalje ari. Në mes të Tiranës këtu, ka nga 4 apo 5 kate pa leje të cilat do t’i gëzojë shteti, jo ai që i ka ndërtuar”- u shpreh kreu i qeverisë. Versus.al







