
Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për përjashtimin e anëtarit Ilirjan Rusmali nga shqyrtimi i ankesave për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Kërkesa u paraqit nga përfaqësuesi ligjor i PD-së, Marash Logu, i cili pretendoi se Rusmali ka mllefe personale të akumuluara ndër vite ndaj liderit historik të PD-së, Sali Berisha, dhe se kjo ndikon drejtpërdrejt në paanshmërinë dhe sjelljen e tij gjatë procesit.
“Në pamundësi për të kontrolluar shpërthimet emocionale dhe bindjet e brendshme ndaj Partisë Demokratike dhe drejtuesve të saj, anëtari Rusmali ka degraduar në sharje dhe ofendime personale, duke cënuar solemnitetin e procesit dhe etikën institucionale,” thuhej në shkresën zyrtare të depozituar nga Logu pranë KAS-it.
Sipas tij, këto sjellje janë tregues të një mungese serioze të objektivitetit nga ana e Rusmalit dhe përbëjnë pengesë për një proces të rregullt dhe të paanshëm administrativ.
Logu e ka akuzuar gjithashtu Rusmalin për konflikt interesi, duke theksuar se ai mban pozicionin e këshilltarit të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, dhe se kjo e bën të papërshtatshëm për të gjykuar në mënyrë të drejtë kërkesat e PD-së për disa qarqe elektorale.
“Kërkojmë një proces të drejtë dhe të paanshëm. Kjo nuk mund të garantohet kur një anëtar i trupës vjen me mllef politik të kahershëm dhe lidhje institucionale me presidencën,” – deklaroi Logu në seancën e kaluar.
Megjithatë, pas shqyrtimit të pretendimeve, KAS rrëzoi kërkesën e PD-së, duke konfirmuar pjesëmarrjen e Ilirjan Rusmalit në vijimin e procesit të shqyrtimit të ankesave zgjedhore. Versus.al







