POLITIKË /

"Ku i gjete lekët për të blerë 3 apartamente?", Berisha sulmon Dumanin: Po mbyll dosjet e Edi Ramës

Në vazhdën e sulmeve tashmë të zakonshme ndaj kreut të SPAK, Berisha e akuzoi Dumanin se po mbyll dosjet e Ramës në këmbim të favoreve monetare.

Shkruar nga Versus
"Ku i gjete lekët për të blerë 3 apartamente?",
Altin Dumani, Sali Berisha

Në fjalimin e tij të përhershëm tashmë në dritaren e pallatit, nga kati i tetë ku mbahet në arrest shtëpie prej dhjetorit të vitit të kaluar, ish-kryeministri Sali Berisha vijoi me sulmet dhe akuzat ndaj qeverisë dhe SPAK-ut.

Për kreun e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumanin, Berisha ashpërsoi akuzat duke e cilësuar atë si “ushtar” të Ramës i cili sipas tij mbyll dosjet për të cilat akuzohet kreu i qeverisë dhe lufton opozitën.

“Po tani, o llum që ata të cilët mbrojtën Edi Ramën morën damkën e historisë, ku do shkosh ti që mbron hajdutin, kriminelin, banditin që korruptoi vendit mik dhe aleat shefin e kundërzbulimit, vetëm e vetëm për të luftuar opozitën?

Çfarë fytyre ke ti mor? Ke fytyrë ti? S’ke fytyrë! Ti ke fytyrën e zezë të këpuceve të Edi Ramës, asgjë tjetër! Ti faqezi që drejton një organizatë kriminale politike në Skapin e partisë mbyll dosjet e Edi Ramës, ministrave të tij, zyrtarëve të tij, vëllait të tij”- tha Berisha.

Ndër të tjera kryedemokrati akuzoi kreun e SPAK se ka blerë 3 apartamente, të cilat sipas tij nuk i justifikon me rrogën që merr.

"I burgos deputetët e opozitës. Zvarrit ish-presidentë para të cilëve jepje duart në Kushtetutë, o i pa be dhe i pa moral. Të gjtiha këto i bën se je një hajdut ordiner. Të gjitha këto i bën se 8 vite më parë, jo tani, je gjetur me 3 apartamente me rrogën tënde.

Po cili shqiptar mund të bëjë 3 apartamente? Cili kriminel të dha ty paratë për t’u bërë me 3 apartamente? Apo të mori peng Edi Rama? Të mbron për të bërë pyetjet 1 milionëshe”- u shpreh Berisha në mbyllje të fjalimit të tij të përnatëshëm që ndiqet prej muajsh nga simpatizantët e tij besnikë. Versus.al

Poll