Kreu i qeverisë Edi Rama foli për politikat e ndërmarra në favor të pensionistëve gjatë qeverisjes së tij ndërsa nuk hezitoi të bënte krahasim me situatën para se PS të vinte në pushtet.
Sipas tij, gjendja e sigurimeve shoqërore ka qenë shumë problematike në vitin 2013 kur PS erdhi në pushtet dhe theksoi se që prej asaj kohe, skemës së kontribuesve i janë shtuar 270 mijë persona. Ai ironizoi edhe premtimet që u bëheshin pensionistëve nga qeveria e asaj kohe, sipas tij për “një gjel të vitit të ri’ në fundvit.
“Nuk ka kryeministër në botë që nuk tundohet nga rritja e pensioneve me idenë se këto janë vota. Të gjithë këta që i dëgjoni ju janë të gjithë produkte të politikës së piramidave. Dinë të bëjnë vetëm piramida. Ndërkohë, në vitin 2022, ne kemi dhënë 3 bonuse përveç pensioneve nga ndikimi i luftës në Ukrainë etj etj. Kemi dhënë dhe bonusin tradicional. Ju keni qenë këtu dhe keni qenë gjithmonë të vëmendshëm. Juve u është bërë koka daulle kur doli dikush dhe tha se do ju japë lekë për të blerë një gjel deti. Ne e kemi nisur nga kocka e kofshës të një gjysmagjeli në 2013-ën. Disa gjëra ne i bëjmë që prej vitit kur kemi filluar reformën e energjisë”- u shpreh kryeministri.
Ai kritikoi ndërtuesit të cilëve u bëri thirrje që të deklarojnë pagën reale të punonjësve në bankë pasi vetëm në këtë mënyrë do të mund të kishte ndikim pozitiv dhe të bëhej e mundur rritja e pensioneve. Versus.al







