Kryeministri Edi Rama gjatë takimit që pati sot me pensionistët u përpoq të shpjegonte se përse rritja e pensioneve në vend është shumë e vështirë. Kreu i qeverisë tha se skema e pensioneve nuk është vetëm çështje e ekzekutivit por e gjithë shoqërisë shqiptare.
“Është e rëndësishme që të gjithë të jenë të qartë se përse pensionet janë pjesa më e vështirë, për çdo shtet, merrni edhe Gjermaninë po të doni. Ka një sërë pse-sh të cilat do përpiqemi t’i shpjegojmë vërtetësisht. Do përpiqemi të dalim në përfundimin se përse kjo çështje nuk është vetëm e buxhetit të shtetit dhe se qeveria mund të vendosë çfarë të dojë. Jo! Kjo është një çështje e përbashkët e gjithë shoqërisë dhe të atyre që fitojnë para”- tha Rama.
Ai akuzoi ata të cilët sipas tij nuk paguajnë sigurime shoqërore nga fitimet që kanë nga bizneset apo paga e tyre, duke i cilësuar ata si “fajtorë” për mungesën e një rritje konkrete të pensioneve.
Brenda fitimit kanë detyrimin ligjor të japin atë që u takon pensionistëve përmes skemës. Që ne të rrisim kapacitetin për të pasur në vijim një rritje të pensioneve ne duhet patjetër të rrisim kontributet dhe të imponojmë këtë rritje kontributesh për ata të cilët fitojnë për vete dhe vjedhin pensionistët duke mos paguar për sigurimet shoqërore”- shtoi kryeministri.
Më herët, kreu i Drejtorisë së Sigurimeve Shoqërore zbuloi edhe përse pensionet nuk mund të rriteshin në nivelin që duan të moshuarit, duke përmendur uljen e numrit të popullsisë në moshë pune dhe emigracionin e të rinjve si shkak kryesor. Versus.al







