AKTUALITET /

Braçe shtyu gazetarin, reagon AGSH: Precedent i rrezikshëm, deputeti të kërkojë falje

Në reagim thuhet se zyrtari publik mund të mos përgjigjet, por jo të sillet keq me gazetarët.

Shkruar nga Versus

Braçe shtyu gazetarin, reagon AGSH: Precedent i rrezikshëm, deputeti

Veprimi i deputetit socialist Erion Braçe ndaj gazetarit Marsel Rupi ka sjellë edhe reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë ku dënohet sjellja e ligjvënësit.

Në reagim, AGSH thotë se sjellje të tilla krijojnë precedentë të rrezikshëm. Mes të tjerash theksohet se kur zyrtarët publikë nuk duan të përgjigjen, janë në të drejtën e tyre, por nuk duhet të përdorin forcë fizike ndaj gazetarëve apo sjellje që u cënojnë integritetin. 

"Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënon sjelljen e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Erion Braçe, gjatë ditës së martë, përpara hyrjes në Kryesinë e Kuvendit.

Ka qenë gazetari i televizionit News24, Marsel Rupi, i cili ka tentuar t'i drejtojë një pyetje deputetit Braçe. Megjithatë, sapo i është afruar, në pamjet filmike duket se deputeti e ka shtyrë fizikisht gazetarin, duke i pamundësuar ushtrimin e detyrës së tij profesionale.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë e konsideron të papranueshme çdo formë pengimi, intimidimi apo kontakti fizik ndaj gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës. Gazetarët kanë të drejtë të bëjnë pyetje ndaj zyrtarëve publikë, ndërsa këta të fundit kanë të drejtën të mos përgjigjen, por në asnjë rast të përdorin forcë fizike apo sjellje që cenojnë integritetin e tyre.

Sjellje të tilla krijojnë një precedent të rrezikshëm dhe japin një mesazh negativ për lirinë e medias dhe të drejtën e publikut për t'u informuar. Përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve duhet të tregojnë standardet më të larta të komunikimit me median dhe të respektojnë rolin kushtetues që gazetarët luajnë në një shoqëri demokratike.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë i bën thirrje deputetit Erion Braçe të reflektojë mbi këtë sjellje dhe të kërkojë ndjesë publike ndaj gazetarit Marsel Rupi. Njëkohësisht, u kërkon të gjithë zyrtarëve publikë të respektojnë punën e gazetarëve dhe të garantojnë që incidente të tilla të mos përsëriten në të ardhmen"- thuhet në reagim. Versus.al

Poll