POLITIKË /

Kuvendi voton “Zgjedhoren”, Rama në Paris për Lojërat Olimpike, deputeti: Merret me hallet e refugjatëve të botës

Deputeti Spaho ka ironizuar mungesën e kryeministrit Rama në seancën e fundit për këtë sesion parlamentar.

Shkruar nga Versus

Kuvendi voton “Zgjedhoren”, Rama në Paris për Lojërat

Ndërkohë që sot në Kuvend votohet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor pas draftit të dakordësuar mes PS dhe PD, mungesa që vihet re në seancë është ajo e kryeministrit Edi Rama.

Kur votohet për projektligjin më të rëndësishëm që mund të përcaktojë “fatin” e zgjedhjeve të ardhshme, kreu i qeverisë ndodhet në Paris për Lojërat Olimpike Botërore. Vetë ai e ka konfirmuar këtë me anë të një fotoje të publikuar në rrjetet sociale.

Për mungesën e Ramës foli edhe deputeti demokrat Edmond Spaho i cili tha se kryeministri ka për detyrë t’u shërbejë qytetarëve të vendit ku është zgjedhur dhe të jetë i pranishëm në seancë e jo të merret me problemet e refugjatëve në vendet e Evropës Perëndimore.

“Që nga janari deri më sot nuk di a ka pasur ndonjë seancë ku të ketë qenë kryeministri present. Kryeministri është zgjedhur për t’u shërbyer qytetarëve të vendit të vetë por më shumë është i shqetësuar për udhëheqjen globale. Pasi mbaroi me hallet e refugjatëve të Melonit, është hedhur tani të zgjidhë hallet e refugjatëve të Anglisë. Të kujdeset pak edhe për refugjatët e Shqipërisë se jemi bërë popull refugjat i gjithi dhe i kërkoni të vijë të paktën një ditë në Kuvend. Se edhe kur vjen është në ndonjë kullë, është bërë si ai që i këndojnë ku le qen e ku le tym e ku bën daullja bym, aty është Edi Rama”- tha Spaho ndër të tjera.

Në Lojërat Olimpike që nisin sot në Paris, marrin pjesë edhe 7 atletë shqiptarë. Versus.al

Poll