POLITIKË /

Lidhja e Abdulkadir Kart me Presidentin Erdogan dhe lobimi për tenderin e tunelit të Llogarasë

Në një nga komunikimet e përfshira në dosjen hetimore, sipas burimeve pranë hetimit, përmendet qartësisht interesimi personal i presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në lidhje me kompaninë ASL, pjesëmarrëse në tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.

Shkruar nga Versus
Lidhja e Abdulkadir Kart me Presidentin Erdogan dhe lobimi për tenderin e
Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan dëshmitar në dasmën e djalit të biznesmenit Abdulkadir Kart

Mesazhet e shkëmbyera midis Zv.kryeministres Belinda Balluku dhe ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, të cilat janë përfshirë nga SPAK si prova në dosjen e akuzës ndaj numrit dy të qeverisë, kanë nxjerrë në dritë një marrëdhënie që kalon kufijtë e Shqipërisë.

Këto mesazhe tregojnë për një komunikim të drejtpërdrejtë që përfshin edhe lobimin e nivelit më të lartë nga pala turke.

Mesazhet që përmendin Presidentin Erdogan
Në një nga komunikimet e përfshira në dosjen hetimore, sipas burimeve pranë hetimit, përmendet qartësisht interesimi personal i presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në lidhje me kompaninë ASL, pjesëmarrëse në tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.

Në një prej mesazheve të ardhura nga pala turke, citohet:

“Presidenti e njeh, e vlerëson dhe e përdor si referencë”, duke iu referuar kompanisë ASL, në pronësi të biznesmenit Abdulkadir Kart.

Kush është Abdulkadir Kart
Abdulkadir Kart është një emër i njohur në biznesin dhe politikën turke. Ai ka qenë anëtar i Parlamentit të Turqisë si përfaqësues i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), partia e Presidentit Erdogan, për zonën e Rize-s, në periudhën 2002–2007.
Media turke e përshkruajnë Kart si “një nga personat më të afërt me Presidentin Erdoğan”. Dyshja kanë qenë fqinj në lagjen Keçiören të Ankarasë, ndërsa marrëdhëniet e tyre janë forcuar edhe më shumë gjatë viteve të fundit.
Kompania që ai zotëron, ASL İnşaat, ka përfituar një sërë projektesh madhore publike në Turqi. Katër prej tyre, me një vlerë të përgjithshme mbi 2.4 miliardë lira turke, i janë dhënë nga Bashkia e Stambollit në kohën kur drejtohej nga partia e Erdoganit, AKP.

Lidhja e Abdulkadir Kart me Presidentin Erdogan dhe lobimi për tenderin e

Një tjetër fakt domethënës është prania e vetë Presidentit Erdogan si dëshmitar në dasmën e djalit të Kart, Gökhan Kart, në vitin 2017, së bashku me ish-kryeministrin Binali Yıldırım dhe ish-kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare, İsmail Kahraman.
Kjo ngjarje është cituar shpesh nga mediat turke si një dëshmi e marrëdhënies së ngushtë midis presidentit dhe biznesmenit.

Nga Ankara në Tiranë – lobimi si praktikë ndërkombëtare
Ekspertë të fushës theksojnë se mesazhet e dërguara nga pala turke drejt zyrës së zv.kryeministres Balluku nuk tregojnë elementë tipikë të një korrupsioni aktiv, por më tepër një praktikë lobimi ekonomik, e cila njihet në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Në këtë rast, Presidenti Erdogan, sipas të dhënave të dosjes, ka lobuar personalisht për kompaninë e një biznesmeni që ai e njeh dhe e vlerëson. Praktika të tilla janë të zakonshme në marrëdhëniet diplomatike, ku udhëheqës shtetesh promovojnë interesat ekonomike të kompanive kombëtare në projekte ndërkombëtare.
Në fakt, Erdoğan nuk është i vetmi lider që ka ndërmarrë lobime të tilla për bizneset e vendit të tij. Shembuj të ngjashëm janë evidentuar edhe në politikën amerikane, gjermane apo franceze, ku mbështetja për kompanitë kombëtare shihet si pjesë e politikave ekonomike strategjike. Versus.al

Poll