
Avokatja e Fredi Belerit, Klodiana Gjyzari ka kërkuar që KQZ të pushojë çështjen për caktimin e vlefshmërisë së mandatit të klientit të saj si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës. Sipas saj, nuk është e qartë sesi institucioni u vu në lëvizje dhe theksoi se duhet që situata të zgjidhet nga institucione të tjera.
“Nuk është e qartë sesi KQZ u vendos në lëvizje nga një person. Të pushohet procedura, KQZ nuk ka kompetencë të shqyrtojë. Subjektet e tjera ta zgjidhin këtë situatë të krijuar. Sepse KQZ vepron në bazë të Kushtetutës”- tha avokatja.
Nga ana tjetër komisioneri i PS, Erdian Salianji tha se nuk ka asnjë nevojë që dikush të vërë në lëvizje KQZ-në që pas momentit kur gjykata dënon me vendim të formës së prerë Belerin. Sipas tij, duhet që mandati të ndërpritet pasi Beleri është subjekt i ligjit të dekriminalizimit.
"Është proces automatik kur del vendimi i Gjykatës. Vetë KQZ mund ta kishte konstatuar që në momentin që doli vendimi i prerë për dënimin e Belerit. Personat e dënuar me vendim të Gjykatës nuk mund të ushtrojnë funksione publike sipas formularit të dekriminalizmit. KQZ ka të gjithë të drejtën të ndërpresë mandatin dhe të njoftohen organet për shpalljen e zgjedhjeve. Këtu jemi për konstatimin e faktit. Ka vendim të gjykatës së apelit? Po, kaq është"- u shpreh Salianji.
Ndërsa përfaqësuesi ligjor i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Ivi Kaso tha se duhet që vetë kryeministri Edi Rama apo Këshilli i Ministrave ta shkarkojnë Belerin, por sipas tij, mazhoranca po kërkon që t’ja kalojë vendimin KQZ-së duke shmangur përgjegjësinë.
“Nëse një person i zgjedhur që ende nuk ka filluar të ushtrojë mandatin dënohet me vendim të prerë, atëherë aplikohet ligji tjetër kur parashikohet fakti që mbaron para kohe mandate që nuk ka mundur të ushtrojë. Është rasti kur Këshilli i Ministrave vendos ta shkarkojë të zgjedhurin.
Nuk është kjo patate e nxehtë që duhet t’ja kalojnë KQZ. Mazhoranca duhet të marrë përgjegjësinë, Rama ta shkarkojë. Këtë gjë mazhoranca nuk do ta bëjë sepse nuk do ta fusë në ato afate ankimore që pasi ta shkarkojnë, vendimi të bëhet përfundimtar kur ta shprehë Kushtetuesja”- tha Kaso.
Beleri mori leje nga Drejtoria e Burgjeve për të qenë i pranishëm në seancë. Versus.al







