Fatmir Mediu, kreu i Partisë Republikane ka shpërthyer në Kuvend gjatë diskutimeve për votimin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor në draftin e dakordësuar mes PS dhe PD. Ai tha se me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, 90% e listave janë të mbyllura duke i lënë mundësinë kryetarit të caktojë kandidatët dhe duke mos lejuar që të ketë rigjenerim të Kuvendit me figura të reja.
Duke shprehur kundërshtinë e tij hapur lidhur me këtë projektligj, Mediu tha se me këto ndryshime, lihen jashtë mundësitë e koalicione mes partive, gjë që nëse do të ishte në fuqi që në 2021-in socialistët do të ishin në opozitë.
“Nuk ka të bëjë aspak me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ka dy vende në Ballkan që nuk zhvillojë zgjedhje të lira, njëra Serbia dhe tjetra është Shqipëria. Serbia e ka përcaktuar vendin e vetë në krah të Rusisë ndërsa ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe si i tillë duhet të garantojmë zgjedhje të lira e të ndershme por një gjë të tillë nuk e bëjmë.
A ketë reformë zgjedhore në Shqipëri? Janë probleme të dukshme që i di çdo shqiptar, intimidimi i votuesve me anë të kriminelëve që i frikësojnë, përdorimi i të dhënave të qytetarëve nëpërmjet patronazhistëve, përdorimi i administratës. A nuk është taktikë elektorale heqja e mundësisë së koalicioneve duke minuar atë që ju e keni pasur si të drejtë kur ishit në opozitë në 2013-ën? Duke i hequr mundësinë opozitës që qytetarët të bashkohen kundër kësaj qeverie që shqiptarët nuk e duan? Nëse koalicionet do ishin në fuqi, në 2021-in sot do ishit në opozitë”- tha Mediu.
Ndër të tjera ai tha se nuk ka qenë partia e tij ajo që ka propozuar mbylljen e 1/3 të listave.
“Ka filluar të qarkullojë një gënjeshtër e madhe, sikur 1/3 e kemi kërkuar ne partitë e tjera. Nuk është e vërtetë, kemi kërkuar jo më shumë se 1/3 duke e lënë në vendimmarrjen e partive për të lënë disa figura që e bëjnë fushatën kombëtare por jo për të vendosur rreth 90% në lista”- shtoi Mediu.
Ndërsa theksoi se do të votojë për ndryshimet në Kod Zgjedhor lidhur me votën e Diasporës pavarësisht problemeve që ka neni në projektligj. Versus.al







