Ka zgjatur zyrtarisht 2 orë e 30 minuta protesta kombëtare e opozitës në Tiranë.
E nisur në orën 20:00 tek kryeministria dhe e përfunduar në orën 22:30 tek Bashkia e Tiranës, opozita tuboi mijëra qytetarë në shesh.
Në të dyja godinat pati hedhje të bombave molotov, ndërsa në Bashki “shiu” i molotovit u shoqërua edhe me përplasje me forcat e rendit.
Protestuesit u shtynë me policinë që të çanin rrethimin e efektivëve, por pa ia arritur dot qëllimit.
Pas kësaj, drejtuesit e protestës vendosën të tërhiqeshin për t’u kthyer në selinë e Partisë Demokratike.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Flamur Noka ka mbyllur protestën e opozitës, me një fjalë në shkallët e selisë blu.
‘Lirimi i liderit të opozitës dhe qeveria teknike që Shqipëria të gjejë paqe sociale dhe politike’, deklaroi Noka, si kushte të panegociueshme të opozitës.
‘Dua që në emër të PD opozitës shqiptare të falenderoj qindra e mijëra qytetarë, shqiptarë, demokratë e jo, por opozitarë në shpirt, dhe kundërshtarë të këtij regjimi, për pjesëmarrjen në këtë protestë më madhështoren dhe historiken që njeh demokracia shqiptare në këtë temperaturë 40 gradë.
Të gjithë ata që protestuan treguan se shpirti i qëndresës, treguan se shpirti i qëndresës, treguan se shqiptarët e lirë nuk nënshtrohen.
Sot qindra e mijëra shqiptarë protestuan kundër narkoregjimit, kundër këtij regjimi që po e rrënon Shqipërinë.
Mesazhi i #do qytetari sot ishte: Shqipëria kërkon demokraci, nuk mund të qëndrojë nën thundrën e narkos, dhe Shqipëria nuk mund të pranojë në vitin 2024, të ketë liderin e opozitës të burgosur politik.
Shqipëria nuk mund të jetë i vetmi vend i Europës që zgjedhjet nuk zhvillohen të lira, por zgjedhjet vidhen nën grykën e kallashnikovit, krimit të organizuar, bandave dhe korrupsionit.
Mesazhi i qytetarët ishte i qartë: Regjimi i narkos duhet të dëgjojë ërin e qytetarëve.
Qytetarët shqiptarë sot folën dhe treguan se ishin shumica.
Sot foli shumica e shqiptarëve, zëri i tyre duhet të dëgjohet.
Ne jemi të vendosur në betejën tonë. Lirimi i liderit të opozitës dhe qeveria teknike që Shqipëria të gjejë paqe sociale dhe politike’, tha Flamur Noka gjatë fjalës së tij.







