Parlamenti Europian ka përcjellë një mesazh të qartë për Tiranën lidhur me situatën politike, duke theksuar rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit mes shumicës dhe opozitës.
Kreu i Komisionit të Jashtëm në PE, David McAllister, gjatë një konference për shtyp, nënvizoi se shumica duhet të përfshijë opozitën në dialog politik, ndërsa opozita duhet të heqë dorë nga protestat e dhunshme.
Ai theksoi se stabiliteti politik është thelbësor për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Integrimi në BE është një proces që mbështetet në merita. Ne e vlerësojmë që integrimi në BE është prioritet në Shqipëri, por jemi të shqetësuar sa i takon polarizimit politik. Duhet të ketë më shumë stabilitet dhe dialog. Shumica duhet të ofrojë dialog dhe opozita duhet të përfshihet më shumë në dialog. Protestat e dhunshme nuk kanë vend në një demokraci funksionale », tha McAllister.
Duke iu referuar raportit të fundit të Transparency International për perceptimin e korrupsionit, McAllister deklaroi:
“Ekziston nevoja për ta ruajtur forcën shtytëse në luftën kundër korrupsionit.
Shumë është arritur por jo ende në nivelin e kënaqshëm. Në raportin e fundit të TIA Shqipëria renditet 11 vende më poshtë. Është e nevojshme të ketë një zbatim të plotë të legjislacionit, të mos ketë ndërhyrje politike në strukturat e drejtësisë dhe politikanët të udhëheqin duke dhënë ata vetë shembullin”.
“Dëshirojmë të shohim një reformë reale zgjedhore, që të bëhet në kohë të mjaftueshme para zgjedhjeve, të përfshijë opozitën dhe të vërë në jetë rekomandimet e OSBE-ODIHR”./Versus.al

