Kryedemokrati Sali Berisha ka dalë në një konferencë në lidhje skype me mediat pas aksionit të djeshëm të opozitës në Kuvend ku u hodhën sende të forta drejt ministrave dhe u dogjën karrige të deputetëve.
Ai e nisi deklaratën e tij ashpër ndaj ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha i cili paralajmëroi deputetët e opozitës se do i denonconte në SPAK për disa vepra penale që kanë kryer gjatë aksionit të djeshëm.
“Dënoj deklaratën e bastardit me 3 mbiemra, kërcënimet e bastardit me mbiemrin Hoxha ndaj deputetëve të opozitës. I them këtij bastardi, edhe Enveri të ngrihet nga varri, deputetët e opozitës janë të vendosur ta çojnë gjer në fund mosbindjen civile. I them këtij banditi të shndërruar në ministër, çlirohu nga inspirimet e diktatorit më satanik që ka njohur Shqipëria sepse opozita dhe opozitarët do të japin vendin që meriton”- tha Berisha.
Të njëjtën thirrje për mosbindje civile, ai u bëri thirrje ta zbatojnë edhe krerët e PD në degët e vendit dhe këshilltarët e bashkive.
“U bëj thirrje këshilltarëve të bëjnë gjithçka, mosbindje civile për t’i shkaktuar ditët regjimit të krimit. Iu ftoj të gjithë drejtuesve lokalë dhe qendrorë, të dalin në ballë të revoltave dhe mosbindjes civile në 4 anët e vendit, t’u faktojnë shqiptarëve e botës se diktatura në Shqipëri i ka ditët e shkurtra”- bëri thirrje kryedemokrati.
Berisha theksoi vendosmërinë e opozitës për të vijuar me aksionin opozitar të nisur dhe paralajmëroi mosbindje totale civile.
“Këto janë akte të një regjimi kriminal, i lidhur kokë e këmbë me krimin dhe drogën që kërkon të shuajë zërat e opozitës. Ju garantoj se opozita ka zbritur në shesh dhe gjer në përmbushjen e misionit të saj, e vendosur për çdo sakrificë, ajo nuk tërhiqet.”
I pyetur nga gazetarët mbi deklaratën e kreut të Këshillit Kombëtar Edi Paloka i cili foli dje për ngritjen e komisionit të së vërtetës, Berisha tha se kjo është e vetmja mënyrë për zbardhjen e deputetëve dhe qeveritarëve socialistë të shfaqur në përgjimet e Sky Ecc të lidhur me eksponentë të lartë të krimit të organizuar. Ish-kryeministri shkoi më tej me akuzat duke pretenduar se në total 73 telefona “Sky Ecc” janë përdorur nga kryeministri Rama dhe zyrtarë qeveritarë.
“Po të marrim në konsideratë dosjet e fundit, ju konstatoni aty se lidhjet e politikës me krimin, lidhjet e qeveritarëve gjer tek Edi Rama, e gjykatësve e prokurorëve janë tragjedia dhe dëma më e madhe e shqiptarëve, janë rrezik i jashtëzakonshëm potencial jo vetëm për shqiptarët por edhe për rajonin dhe Europën. Kam kohë që mendoj për këtë problem dhe garantoj ndërkombëtarët se ka vetëm një zgjidhje përgjigjen e plotë atij Everesti të zi të lidhjeve të tmerrshme me krimin nga Edi Rama e poshtë të kësaj administrate dhe kjo është një ngritja e komisionit të së Vërtetës me praninë e partnerëve ndërkombëtarë.
Tashmë jemi para zbulimit të zi më të madh të shekullit sa i përket lidhjeve të politikës me krimin. Me një komision të së vërtetës, i presim këto lidhje për të shpëtuar shoqërinë shqiptare nga kthetrat e krimit. Shqiptarët do lemeriten kur të dëgjojnë të vërtetuara këto lidhje. I informoj se nga 60 mijë telefona të koduar në Europë dhe botë, 15 mijë kanë qenë në duart e shqiptarëve, 8 mijë prej tyre në duart e zeza të pushtetarëve shqiptarë, nga të cilat 73 në duart e zeza të qeverisë”- shtoi kreu i partisë Demokratike.
Në mbyllje të konferencës, Berisha tha se regjime të tilla nuk rrëzohen dot me votë, por me lëvizje të fuqishme duke bërë thirrje për mobilizim të të gjithë strukturave në vend për mosbindje civile. Sa takon protestës kombëtare të thirrur më 7 tetor, Berisha nuk dha detaje por u mjaftua me fjalët “veprim dhe vetëm veprim”. Versus.al