Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Fier ku ka zhvilluar një takim me pensionistët në kuadër të fushatës së informimit lidhur me arsyet përse qeveria nuk mund të rrisë pensionet me arsyetim kryesor informalitetin e bizneseve dhe të punësuarve.
Ai solli në vëmendje faktin se kur PS erdhi në pushtet, Shqipëria kishte marrëveshje pensionesh vetëm me Turqinë ndërsa sot e ka me rreth 20 shtete të tjera me në krye Italinë.
“Sot tema e pensioneve është temë edhe tek vendet më të pasura ku ngrihet problem i vështirësisë për të rritur pensionet dhe për t’ju përgjigjur në kohë kësaj rritje. Kur ne morëm detyrën morëm vetëm një marrëveshje pensionesh me një shtet tjetër, me Turqinë ku numri i emigrantëve nuk është shumë i konsiderueshëm dhe sot që flasim kemi arritur të lidhim marrëveshje me mbi 20 shtete ku më e rënda ishte ajo me Italinë. Të gjithë ata persona do të kenë mundësi t’u përllogaritet edhe kontributi i dhënë si këtu si në Itali. Pjesa më e vështirë është lidhja e marrëveshjes me Greqinë për shkak se është vendimmarrje shumë e vështirë me peshë të madhe financiare”- tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se po përgatitet një plan në mënyrë që të ruhet balanca e buxhetit të shtetit, për shkak se qeveria paguan 500 milionë euro çdo vit diferencën e mbetur mes sigurimeve shoqërore dhe pensioneve.
“Vazhdojmë të kemi një problem serioz me shmangien e sigurimeve shoqërore nga punëmarrësit. Këtu është koha të bëjmë një tjetër përpjekje shumë të fuqishme nga ana jonë pasi tashmë jemi në kushtet kur rritja ekonomike dhe e mundësive na e ka krijuar këtë mundësi të diskutojmë se çfarë duhet bërë konkretisht.
Sot që flasim, qeveria mbulon me afro 500 milionë euro diferencën mes sigurimeve shoqërore dhe pensioneve. Në çdo pension që jepet sot, një pjesë e paguan drejtpërdrejt qeveria. Jemi të gatshëm të paguajmë jo këtë pjesë, por edhe më shumë. Problemi është të mbajmë një balancë të shëndetshme që të mos pengojë shtetin të funksionojë siç duhet dhe zhvillimin e mëpasshëm. Taksat nuk janë vetëm për të paguar pensionet por të gjitha ato që i duhen shtetit. Janë për shkollat, çerdhet, infrastrukturën e shkollat”- shtoi kryeministri.
Duke përmendur fakte konkrete nga sektorët në të cilët sipas tij fshihet paga reale e punonjësve, Rama tha se është bërë një plan agresiv ndaj sipërmarrësve në takimet ku i ka paralajmëruar këta të fundit se do të konsiderohet si të kenë kryer një vepër penale.
“Mjafton të shohim se çfarë ndodh në ndërtim apo turizëm ku deklarimi i pagave është shumë më i ulët. Sepse punëdhënësit dhe punëmarrësit mendojnë se këto para që shkojnë për pensionistët, mund të shmangen si barrë duke i shkelur syrin njëri-tjetrit.
Kemi bërë një plan shumë agresiv për të frenuar vjedhjen e pensioneve nga sipërmarrësit por edhe nga ata që janë punëmarrës dhe pranojnë të marrin në dorë para të cilat na bëjnë një dëm të dyfishtë. E para duke i dhënë punëdhënësi punëmarrësit 400 euro në bankë ose 500 euro dhe po t’i jap dhe 200 tjera në dorë dhe nuk paguan taksa për pensione e shëndet. Ato janë financim që ti e bën sot që të dalë pensioni ndryshe nesër. Sot ka një pafundësi ankesash nga ISSH me qytetarë që habiten me pensioni që u del për t’u marrë”- u shpreh Rama ndër të tjera.
Prej ditësh, kreu i ekzekutivit ka zhvilluar takime me pensionistët të cilët është munduar t’i bindë se rritja aktuale e pensioneve është e pamundur nëse përfundohet aksioni i nisur kundër informalitetit të bizneseve. Versus.al








