POLITIKË /

“S’do ketë më deklarime pagash që nuk i besojmë”, Rama paralajmëron bizneset: Shkoni në kolaps nëse jeni informalë

Rama ka deklaruar para sipërmarrësve se e gjithë lufta kundër informalitetit bëhet përsa i takon ndikimit që ka mosdeklarimi i pagave reale në skemën e pensioneve.

Shkruar nga Versus
“S’do ketë më deklarime pagash që nuk i
Kreu i qeverisë, Edi Rama

Kryeministri Edi Rama së fundmi ka nisur një fushatë kundër mosdeklarimit të pagës reale nga bizneset në vendin tonë, gjë që sipas tij ndikon drejtpërdrejt në skemën e pensioneve duke u bërë arsyeja kryesore përse nuk rriten dot pensionet e të moshuarve.

Pas takimit që pati ditën e djeshme me përfaqësues të biznesit, Rama mblodhi sot disa prej sipërmarrësve të vendit të clëve ua bëri të qartë se nuk do të pranohen më deklarime pagash të cilat nuk janë të besueshme, duke theksuar se ndaj tyre do të ketë masa penale të cilat do t’i çojnë deri në kolaps të kompanisë që kanë.

“Nuk do pranojmë më deklarime pagash që nuk i besojmë. Ndërtuesit që do të deklarojnë 60 mijë mijë lekë pagë që nuk ekziston, duhet të kuptojnë që nuk do i pranohet, do u kthehet pas deklarimi. Do u thuhet keni bërë gabim.  Nëse nuk reflektojnë do të përballen si hajdutët e energjisë. Situata që do të shkojnë deri në kolaps të kompanisë. Më besoni, për çfarë? Për të mos paguar haraçin pensionistëve edhe pse e kanë përfituar nga puna. Merreni seriozisht. Po shikojmë që ta bëjmë si vendet nordike, që ti bëjmë publike pagat me ligj që të gjithë ta shohim kush paguan cfarë, por kjo është arma e fundit, tjetra është hyrja më e thellë në inspektime. Nuk janë kërcënime as presione por informacion trasnparent që kemi  ndërmend të bëjmë”- tha Rama.

Një paralajmërim e pati edhe për bizneset e vogla duke paralajmëruar pronarët deri në mbylljen e aktivitetit të tyre financiar.

"Do marrim masa drastike për çdo biznes të vogël që nuk paguan sigurime shoqërore, deri më mbyllje të aktivitetit. Të gjitha të tjerat mund ti diskutojmë, edhe taksat. Ka një sistem të marrëveshjeve, jo debia, jo borxhet, hajde bëjmë një ristrukturim, taksat mund të diskutohen. Republika e Shqipërisë dhe asnjë tjetër nuk e ka një të tillë për sigurimet shoqërore. Janë një numë ri konsiderueshëm biznesesh që figurojnë debitorë ndaj pensionistëve. Edhe këtë ne po e studiojmë për të mos e përdorur si një pengesë për formalizmin”- theksoi ai.  

Por nuk u mjaftua vetëm me paralajmërime të tilla. Më tej kryeministri përdori edhe ‘kartën’ e sipërmarrësve të cilët besojnë në Zot, duke u thënë se nuk duhet të presin për shpërblim në botën e përtejme duke vepruar në këtë mënyrë që e cilësoi si “grabitje të pensionistëve”.

"Kam respekt për sipërmarrësit që i falen Allahut 5 herë në ditë por di që nuk i paguajnë sigurimet shoqërore ashtu sic i duhet se dhe ata do ta kenë parasysh këtë moment kur shkojnë atje. Se ka xhenet por dhe xhenem. Qoftë dhe për të mos marrë mallikimin e pensionistëve. Ata q i takojnë pensionistëve nuk duhet të diskutohen" shtoi kreu i qeverisë.

Nga ana tjetër, ministri i Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës, Blendi Gonxhe tha se gjatë inspektimeve janë zbuluar raste në rritje të informalitetit.

"Nga inspektimet është vërtetuar se 63% e subjekteve në shkelje, me elementë të informalitetit gri si mosdeklarimi i pagës, mungesa e kontratës, moskalimi i pagës në sistemin bankar, përllogaritja e pagës, apo e turneve të dyta e të treta për punonjësit. Punëmarrësit informal të identifikuar rezultojnë me rritje madje krahasuar me një vit më parë me 29%. 1984 punëmarrës informalë të futur në skemën e pagës formale gjatë procesit inspektues vetëm përmes masave të marra nga ky inspektoriat"- tha ministri.

Ndërsa ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha paralajmëroi se do të ketë kontrolle të rrepta dhe ndëshkime si ato që marrin vjedhjet, përsa i takon fshehjes së pagave reale.

“Vjedhja e sigurimeve është akt i pastër vjedhje dhe si i tillë do të trajtohet për këtë të jeni të sigurt, pasi është krim ekonomik. Do intensifikojmë kontrollet për të goditur abuzimet me pagat, do të ketë hetime të thelluara për të ndëshkuar ato grupe që abuzojnë. Ashtu siç kemi bërë me energjinë elektrike dhe me ndërtimet pa leje, do të bëjmë edhe këtu dhe do kemi rezultate domethënëse”, u shpreh Ervin Hoxha.

Ndërkohë, sot qindra pensionistë u mblodhën para kryeministrisë ku protestuan për pensionet e ulëta që marrin në fund të muajit duke u shprehur se nuk u dalin as për nevojat bazike dhe detyrohen të marrin borxh. Versus.al

Poll