POLITIKË /

“Turp shumë i madh”, Rama takim me bizneset: Mosdeklarimi i pagave reale, grabitje e pensioneve

Rama u kërkoi bizneseve krijimin e një fronti të përbashkët në përpjekjet për rritjen e pensioneve.

Shkruar nga Versus
“Turp shumë i madh”, Rama takim me bizneset: Mosdeklarimi i
Kreu i qeverisë, Edi Rama

Pas takimit që pati me pensionistët ditën e djeshme të cilëve u bëri me dije arsyet përse rritja e pensioneve është tepër e vështirë për qeverinë, sot kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me përfaqësues të bizneseve të ndryshme lidhur me mosdeklarimin e pagave reale të punonjësve të tyre.

Rama u drejtua ashpër ndaj tyre duke e konsideruar mosdeklarimin e pagave reale të punonjësve si ‘grabitje të pensionistëve’. Sipas tij, në shumë biznese ka një papërgjegjshmëri totale kur vjen puna në deklarimin e pagës reale të punonjësve, kur në fakt ato ndikojnë drejtpërdrejt në skemën e pensioneve.

“Besojmë nuk do jetë nevoja të vihen nën presionin e masave të rënda administrative dhe me gjasë dhe penale për grabitjen e pensioneve. Kjo është grabitje, është fjalë shumë e rëndë, turp shumë i madh, është një sjellje që ka marrë statusin e vijës së sjelljes së kuqe në shumë biznese me një mungesë përgjegjshmërie që jam i sigurt që kur ju thua ose kur dëgjojnë fjalën grabitje mund të ndihen të fyer, por kjo është grabitje”- tha Rama.

Ndër të tjera ai theksoi nevojën për bashkëpunim më të madh mes qeverisë dhe bizneseve lidhur me këtë politikë, duke thënë se paratë që shkojnë për kontributet shoqërore, u kthehen sërish mbrapsht bizneseve në konsum.

“Duhet të krijojmë një front të përbashkët në këtë punë sepse në fund të ditës ato para përsëri rikthehen në konsum në masën më të madhe dhe përsëri gjenerojnë të ardhura të tjera. Është shumë e padrejtë dhe e papranueshm dhe duhet të bëjmë secili atë që na takon”- shtoi kreu i qeverisë.

Dje gjatë takimit me pensionistët, Rama e vuri theksin tek bizneset duke i konsideruar ato fajtore për mos-rritjen e pensioneve, duke mos theksuar sa duhet largimin e të rinjve dhe uljen e dukshme të krahut të punës për shkak të emigracionit masiv. Versus.al

Poll