
Ish- zëvendëskryeministri dhe ish-ministri i financave Arben Ahmetaj në arrati prej shumë muajsh pas akuzave nga SPAK për 'korrupsion', 'fshehja apo mosdeklarim të pasurive' dhe 'pastrim parash' pritet të shfaqet sot në një investigim të RAI-it ku deklaron se kryeministri Edi Rama është i lidhur me bosët e krimit dhe kordinohet më to për aktivitete të paligjshme në Shqipëri.
Sipas medias italiane Arben Ahmetaj është filmuar ndërsa po darkonte e po pinte verë me miq dhe gazetarin italian.
“Grupet kriminale marrin kontrata, pastrojnë paratë në Shqipëri me ndërtim. Ata koordinohen me Edi Ramën”, thuhet në shkrim, ndërsa flet për takime në zyrën kryeministrore.
“Takoi krerët e mafias në zyrën e tij në godinën e qeverisë, i pashë”, është shprehur Ahmetaj për gazetarin e emisionit 'Report'.
Ish- zv.kryeministri Ahmetaj pretendon se marrëdhëniet ndërmjetësohen nga një sipërmarrës nga Durrësi, Ergys Agasi, një biznesmen në sektorin e duhanit dhe djali i një ish-deputeti të fuqishëm socialist.
Në intervistën e gjatë për Report, Rama hedh poshtë ankesat duke e cilësuar si jo të besueshëm ish-krahun e djathtë të tij:
“Njerëz që nuk duhen marrë seriozisht. Politika shqiptare nuk është e prekur nga mafia”.
Mirëpo pak kohë më parë, pikërisht në zyrën e Ramës u zhvillua një mbledhje, nga e cila “Report” mund t’i tregojë fotot dhe ku mori pjesë Luftar Hysa, i konsideruar nga autoritetet kanadeze si një nga ricikluesit kryesorë të “Kartelit Sinaloa”, citon media italiane. e cila vëren se dy muaj pas bisedës me kryeministrin shqiptar, biznesmeni mori licencën për të hapur një kazino në një hotel luksoz në Vlorë.
“E pashë vetëm një herë. Kurrë më!”, është mbrojtja e Ramës.
Vitet e fundit, shumë sipërmarrës italianë kërkuan fatin përtej Adriatikut. Mes tyre edhe Massimo D’Alema. “Report” thekson se zbuloi se vitin e kaluar ish-kryeministri hapi një firmë lobimi A&I në Tiranë, ku deri pak muaj më parë kompanitë e reja nuk paguanin asnjë taksë.
“Në Shqipëri merren me kriptovaluta”, thotë Ahmetaj. I pyetur nga Report, D’Alema e mohon. Në Tiranë, megjithatë, në vitin 2019 hapi dyert “Consulcesi Tech”, një kompani që inauguroi një fond të specializuar për investime në kriptovaluta në Maltë.
“Consulcesi” i referohet Massimo Tortorella, ish-partner i D’Alemës në kantinën e tij. Në vitin 2019, D’Alema dhe Rama pagëzuan së bashku fillimin e aktiviteteve në Tiranë nga Consulcesi Tech, duke marrë pjesë në një konferencë për “Blockchain”, mbyllet shkrimi.
Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ende nuk është deklaruar në lidhje me pohimet e tij, një pjesë e të cilave janë zbuluar para shfaqjes së investigimit të 'Report'./ Versus







