Ish-zëvendëskryeministri në arrati, Arben Ahmetaj, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili mbrojti zëvendëskryeministren Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestimin.
Përmes një postimi në “Facebook”, Ahmetaj kritikoi fjalët e Ramës gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku kryeministri, sipas tij, komentoi edhe çështjen e tij duke pretenduar se kishte “1001 të zeza”. Ahmetaj thekson se kjo ndodhi ndërkohë që hetimet ndaj tij sapo ishin mbyllur dhe gjykimi nuk kishte nisur, duke e cilësuar si shkelje të parimit të prezumimit të pafajësisë.
“Një deklaratë e tillë publike për një çështje që i takon drejtësisë, përbën shkelje të hapur të prezumimit të pafajësisë. Është paradoksale të dëgjosh leksione për këtë parim nga i njëjti Kryeministër, i cili nuk heziton ta shkelë atë publikisht sa herë që i intereson politikisht,” shkruan Ahmetaj.
Ai shton se e drejta e lirisë së shprehjes nuk mund të përdoret për të cenuar prezumimin e pafajësisë ose për të ushtruar presion mbi vendimmarrjen e organeve të drejtësisë.
Reagimi i Ahmetajt
Paraditen e të hënës në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Kryeministri, në përpjekje për të justifikuar qëndrimet e tij, gjeti kohë të flasë edhe për rastin tim, duke pretenduar se aty paskësh “1001 të zeza”. Kjo deklaratë bëhet në një kohë kur çështja ende nuk ka filluar të gjykohet dhe hetimet sapo janë mbyllur.
Një deklarate e tillë publike dhe për një çështje që i takon drejtësisë, përbën pikërisht shkeljen e hapur të parimit themelor të prezumimit të pafajësisë.
Është paradoksale të dëgjosh leksione për prezumimin e pafajësisë nga i njëjti Kryeministër, i cili nuk heziton ta shkelë atë publikisht sa herë që i intereson politikisht, duke e përdorur atë me standard të dyfishtë edhe brenda të njëjtit fjalim.
Prezumimi i pafajësisë është një e drejtë themelore e garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, nga kartat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe nga legjislacioni në fuqi.
E drejta e lirisë së shprehjes për këdo, përfshirë këtu edhe Kryeministrin, nuk mund të përdoret për të cenuar prezumimin e pafajësisë dhe as për të ushtruar presion apo ndikim mbi vendimmarrjen e organeve të drejtësisë./Versus.al

